Hurmat e arabisë janë ndër frutat e thata më të shijshme që mund të provoni.

Të preferuara nga kushdo për shijen e mirë, janë të mbushura edhe në vlera për trupin.

Këto hurma janë të pasura me antioksidantë dhe disa lloje sheqernash që treten shumë shpejt në gjak.

Mund të konsumohen në çdo kohë të ditës si një alternativë e shëndetshme për të shuar urinë e tepërt.

Shija e tyre e veçantë kombinohet në shumë kura e receta të famshme, prandaj në këtë shkrim AgroWeb.org ju sjell një prej tyre.

Më poshtë gjeni të shpjeguar hap pas hapi recetën e kekut të mrekullueshëm me arra dhe hurma arabie.

Përbërësit

220 gr hurma arabie

210 gr miell

250 ml ujë i nxehtë

100 gr gjalp pa kripë

150 gr sheqer

60 gr arra të thërmuara

2 vezë

1 lugë çaji pluhur për ëmbëlsira

gjysmë çaji pluhur vanilje

gjysmë luge sodë buke

Përgatitja

Për të nisur këtë recetë AgroWeb.org ju këshillon të ngrohni furrën në temperaturën  180 gradë.

Ndërkohë në një enë të thellë të mbushur me ujin e nxehtë hidhni brenda hurmat e arabisë dhe lërini të zbuten për 5-10 minuta.

Pasi të jenë zbutur, kullojini dhe thajini me kujdes e më pas pritini në rrathe të vegjël duke i’u hequr bërthamën.

Në një tjetër enë të thellë përzieni gjalpin dhe sheqerin me anë të një rrahësi elektrik derisa të shikoni që sheqeri është shkrirë.

Shtoni këtu edhe vezët me ekstraktin e vaniljes dhe vazhdoni me përzierjen dërisa të krijoni një masë kompakte dhe të trashë.

Më pas shtoni pak nga pak miellin, sodën e bukës dhe pluhurin e ëmbëlsirave dhe trazojini me një lugë druri.

Bëjeni këtë duke u kujdesur që të mos krijohen kokrriza gjatë proçesit.

Kur brumi të jetë kompakt dhe i trashë shtoni copëzat e hurmave të arabisë që përgatitët më parë dhe arrat e thërmuara.

Vazhdoni me përzierjen për disa minuta me lugë druri dhe mund t’a hidhni kekun tuaj në tavën e pjekjes.

Zgjidhni një tavë mesatare dhe shtrojeni me letër pjekje në mënyrë që keku të mos ngjisë poshtë.

Për pjekjen

Hidheni brumin e kekut me kujdes në të dhe futeni të piqet në furrën që e keni ngrohur më parë për 40-50 minuta.

Kujdesuni që keku juaj të mos piqet më shumë se sa duhet, ndaj pasi të kalojnë 40 minuta kontrollojeni atë herë pas here.

Nxirreni nga furra kur të ketë marrë pamje të artë dhe provojeni duke e shpuar në mes më një thikë apo kunjë.

Nëse ato dalin të pastra dhe jo të lagështa atëherë keku juaj është gati.

Pasi t’a hiqni furra lëreni të ftohet në tavë për 15 minuta.

Më pas kalojeni në një pjatë të madhe dhe mund t’a prisni pasi të jetë ftohur plotësisht./AgroWeb.org