COVID-19, Kujdesi Që Duhet Të Tregojnë Diabetikët

177 0

Në fillimet e pandemisë së koronavirusit, mjekët kuptuan që njerëzit që vuajnë nga diabeti përballen me një rrezik të shtuar të komplikacioneve si pasojë e infeksionit me COVID-19.

Ajo që mjekët nuk arrinin të kuptonin menjëherë është se ky lloj i ri virusi mund të nxisë shfaqjen e diabetit tek njerëzit që nuk janë përballur ndonjëherë me sëmundje të tillë.

Një grup prej 17 ekspertësh të kësaj sëmundjeje njoftuan në fillim të qershorit se do të ngrinin një regjistër global CoviDlab Registry i cili do të përmbledhë të dhëna globale për ndikimin e COVID-19 tek diabeti.

Francesco Rubino, ekspert pranë King’s College në Londër u shpreh se të dhënat e deritanishme tregojnë qartë se ka një lidhje mes diabetit dhe COVID-19.

Ky i fundit besohet të lidhet fort me përkeqësimin e sëmundjes tek pacientët që janë të diagnostikuar me diabet dhe ky përkeqësim mund të jetë afatgjatë.

Për më tepër, sipas tij, në pjesën më të madhe të trajtimeve që bëhen për koronavirusin, rrisin nivelin e sheqerit në gjak.

Studime të mëhershme kanë sinjalizuar faktin që SARSI, një virus tjetër i të njëjtit grupim, shkaktonte një lloj akut të diabetit dhe se virusi dëmtonte së pari pankreasin.

Kujdesi Që Duhet Të Tregojnë Diabetikët

Diabetikët janë qartazi më të rrezikuar nga komplikacionet e rrezikshme që shkakton COVID-19.

Sipas ekspertëve, ata duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë pandemisë dhe të ndjekin me rigorozitet këshillat e autoriteteve mjekësore në vend.

Ata duhet të jenë të vëmendshëm ndaj higjenës, larjes së duarve, distancimit fizik dhe mbajtjes së maskës për të kufizuar sa më shumë rrezikun.

Ata duhet të mbikqyrin nivelin e sheqerit në gjak dhe të jenë në kontakt me mjekun.

Çfarë Të Bëni Nëse Jeni Të Infektuar Me Covid-19

Nëse jeni diagnostikuar me COVID-19, por nuk jeni të sëmurë me diabet, kini shumë kujdes ndaj simptomave paralajmëruese siç janë:

  • Etja,
  • Urinimi i shpeshtë,
  • Plogështia
  • Mjegullimi i shikimit
  • Konfuzioni

Këto simptoma mund të sinjalizojnë komplikacione të diabetit që duhen konsultuar menjëherë me mjekun specialist.

Nëse në familjen tuaj është dikush i prekur nga diabeti i tipit 1 dhe është i prekur nga COVID-19, ai ose ajo duhet të tregojë shumë kujdes dhe vëmendje ndaj simptomave sepse COVID-19 shumë mirë mund të përkeqësojë stadin e sëmundjes./AgroWeb.org