Kuzhina shqiptare është e pasur me receta të thjeshta e shumë interesante që na ushqejnë stomakun dhe shpirtin çdo ditë.

E tillë është edhe receta e kungulleshkave me kos dhe hudhër. Ky gatim është mjaft i freskët dhe plotësues në shije.

Përgatitja e kësaj pjate është shumë e lehtë. Atë mund ta servirni ose si pjatë të parë ose duke shoqëruar gatime të tjera tradicionale ose jo.

Receta e kungulleshkave me kos kërkon ajkë kosi të bërë në shtëpi. Shija e pjatës ndryshon kryekëput nëse ju përdorni kos të blerë në dyqan.

Përgatitja e Kungulleshkave me Kos

Përbërësit

Për 4 persona rekomandohen:

8 kungulleshka

1 kokë hudhër

800-1000 gramë kos

4-6 lugë vaj ulliri

Kripë

piper të zi

piper i kuq (sipas dëshirës)

Majdanoz (sipas dëshirës)

Përgatitja 

Qëroni hudhrat dhe pritini hollë.

Shtypini me një lugë dhe spërkatini me pak kripë.

Në këtë mënyrë hudhra do të ketë mundësi të çlirojë alicininë, substancën e famshme mirëbërëse.

Ndërkohë lajini kungulleshkat me ujë të bollshëm.

Më pas pritini në feta të holla.

Fetat e kungulleshkave mund t’i skuqni në tigan ose nëse në furrë.

Varianti më i shijshëm është t’i skuqni në tigan deri sa të marrin një nuancë të artë që anon tek kafja.

Hidhini një e nga një në një enë të madhe.

Në një enë tjetër përzieni ajkën e kosit të bërë në shtëpi, hudhrat, vajin e ullirit, kripën dhe piperit.

Përzierja duhet të bëhet mirë që shija të jetë e njëtrajtshme dhe gjithëpërfshirëse.

Masa e kosit duhet të jetë e trashë dhe jo shumë e lëngshme si taratori.

Hidheni atë sipër fetave të skuqura të kungulleshkave dhe vendosini në frigorifer për një orë ose më pak.

Si përgatitet ajka e kosit

Marrim kosin dhe e transferojmë në një napë të pastër të cilës i japim formën e një traste të thjeshtë.

Trasta varet në një vend të caktuar në kuzhinë dhe lihet të kullojë për 12 orë. Vendosni një enë poshtë nëse nuk keni një vend ku të rrjedhë lëngu.

Pasi kosi ka kulluar plotësisht, hapeni trastën e napës dhe hidheni masën e përqendruar të kosit në një enë qelqi./AgroWeb.org