Kungulli i freskët – Si ta mbjellim në vazo

706 0

Të mbushura me fibra, minerale dhe vitamina, kungujt janë ndër zarzavatet më të rëndësishme për trupin e njeriut. Edhe bebeve të vogla, veç patateve, supën ia fillojmë pikërisht me këtë perime superprodhuese, nga fundprilli dhe maji në shtator. Duke qenë kaq e rëndësishme në të ushqyerin tonë tonë, ne kemi 1100 arsye t’i mbjellim kungujt në ballkon. Unë sapo e kam bërë dhe vjet çdo tre ditë merrja 15-20 kungujt të vegjël vetëm nga një vazo, ndaj po ju tregoj mënyrën se si të veproni.

Koha e mbjelljes


Jemi pikërisht në kohën e duhur për të mbjellë kunguj në ballkon. Fundi i muajit mars dhe prilli janë muajt perfekt për të nisur procesin. Te Pazari i Ri, por edhe në tregjet e lagjeve, ka njerëz që shesin fidanë, të cilët kushtojnë 20-25 lekë copa.

Pasi të plehroni e të pastroni mirë dheun në vazot tuaja, mund të merrni një laps në të cilin të shënoni 8-12 centimetra. Kjo është thellësia e duhur për të mbjellë kungujt. Për distancën mes njëra-tjetrës duhen të paktën 15 centimetra, ndërsa nëse keni vend jepini më shumë hapësirë, pasi kungujt kanë gjethe të gjera dhe të paktën, sipas ekspertëve, duan 30 centimetra largësi.

Përveç kungujve që do filloni t’i merrni në muajin maj, shfrytëzoni gjithashtu dhe lulet e verdha, të cilat si edhe fruti kanë vlera të shumta ushqyese. Pas mbjelljes mund t’i ujisni bimët një herë në dy ditë, por kur moti është i nxehtë, edhe më shpesh. Duhet të keni një detaj parasysh: Nuk mund ta mbillni këtë zarzavat dy vjet në të njëjtin dhè, pasi ul produktivitetin.

Vlerat ushqyese

Janë të shumta vlerat e kungullit, zarzavatit më të absorbueshëm nga trupi i njeriut, madje edhe për diabetikët, të sëmurët me gastrit dhe njerëzit që duan të ruajnë peshën perfekte. Kungulli është i pasur me vitamina C, B1, B2, PP, A, ka acid folik dhe përmbajtje të lartë karotine, sidomos kungulli i madh portokalli.

Një kilogram kunguj në gatim jep vetëm 180 kalori, çka do të thotë që është perfekte për të ruajtur linjat trupore. Ky zarzavat ka kripëra dhe minerale të nevojshme për organizmin por dhe përmbajtje të acidit urik organik. Ai përmban edhe disa fermente oksido-reduktuese, ndaj mos ngurroni më, shkoni në pazar e blini fidanë kungujsh./AgroWeb.org

 

*Rezarta Delisula është zëvendës-kryeredaktore e Gazetës Shqiptare dhe punon si gazetare që prej vitit 1998. Përgjatë karrierës profesionale 17 vjeçare, shkrimet e saj kanë prekur më së shumti çështjet sociale dhe problematikat mjedisore. E apasionuar pas produkteve organike dhe kultivimit të tyre, Rezarta është veçanërisht e interesuar për jetesën e gjelbër. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për AgroWeb.org.