Lëng Kumbulle Për Rininë e Organizmit

1.5k 0

Lëngu i kumbullës ndihmon në trajtimin e një sërë diagnozash dhe simptomash e problemesh me shikimin, tretjen, diabetin, osteoporozën e të tjerë.

Më poshtë, do të gjeni të listuara nga AgroWeb.org, përfitimet kryesore që mund të merrni nga lëngu i kumbullës.

1. Ndihmon me humbjen në peshë

Fibra tek lëngu i kumbullës përthith lëngjet në sistemin tretës dhe parandalon krizat e pajustifikuara të urisë, duke iu dhënë ndjesinë e ngopjes.

Ky është një lajm i mirë për ata që janë në dietë, sepse në formën e lëngut, kumbullat parandalojnë të ngrënit e tepruar dhe rrjedhimisht ulin nivelin e kalorive që merrni.

Lëngu i kumbullave është i pasur edhe në antioksidantë që janë një e mirë e shtuar në përpjekjet tuaja për të rënë në peshë.

2. Parandalon atakun në zemër dhe goditjet në tru

Kumbullat janë të vetmet që përmbajnë asfenolë të cilat eliminojnë efektet e dëmshme të radikaleve në qelizat e trurit.

Antioksidantët në lëngun e kumbullave parandalojnë dëmet e shkaktuara nga oksigjeni tek trigliceridet që shkaktojnë atakun në zemër, tensionin e lartë dhe goditjen në tru.

3. Përmirëson shëndetin e syve

Nëse pini lëng kumbulle, shëndeti i syve do të përmirësohet. Ky lëng përmban vitaminë A që mbron sytë nga infeksionet dhe sëmundjet.

Ai gjithashtu ndihmon në përmirësimin e shikimit në errësirë sidomos për të moshuarit, por edhe parandalon humbjen e shikimit.

4. Ul rrezikun e Degjenerimit Makular

Vitamina A tek lëngu i kumbullës ul rrezikun e shfaqjes së Degjenerimit Makular (AMD) që është edhe shkaktari kryesor i humbjes së rëndë të shikimit te njerëzit mbi 60 vjeç.

5. Ndihmon shtatzaninë

Femrat shtatzënë që pijnë lëng kumbulle rregullisht, përfitojnë vitaminën K, A dhe C të rëndësishme për formimin e kockave, qelizave dhe indeve, luftimin e infeksioneve, parandalimin e mpiksjes së gjakut.

Femrat shtatzënë nuk janë të vetmet që përfitojnë këto vlera. Edhe fetusi përfiton shumë prej tyre. Lëngu i kumbullës është me vlera por edhe i sigurt si për nënën edhe për foshnjën.

Lëngu i kumbullës së njomë kundrejt kumbullës së thatë

Nëse keni dëgjuar për lëng kumbulle të thatë, atëherë duhet të dini që kumbulla e thatë nuk nxjerr lëng.

Megjithatë, ato mund të zihen në ujë, dhe lëngu të pihet, pra komposto, siç njihet zakonisht në Shqipëri.

Kumbullat e thata, traditë kryesisht e Korçës, janë më të ngjeshura. Tuli i tyre është në ngjyrë të artë dhe bërthama nxirret lehtë.

Lëngu i kumbullës ka një ngjyrë me nuanca të errëta dhe ka shije të ngjashme me lëngun e boronicës së kuqe, por më të hollë se kjo e fundit.

Të dy lëngjet e kumbullës së freskët (e shtrydhur) dhe e kumbullës së thatë (e zier) janë të shëndetshme dhe plot vlera ushqimore që i vijnë në ndihmë aparatit tretës./AgroWeb.org