Studimet të cilave u referohet AgroWeb.org tregojnë se konsumi i përditshëm i barishteve ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës, tumoreve, e të tjerave.

Disa prej barishteve më të shëndetshme për njeriun janë: rukola, spinaqi, kale, sallata jeshile, e lëpjeta.

Ajo i ngjan shumë spinaqit, jo vetëm në vlera, por edhe në pamje.

Ajo ka gjethe vezake a gjatoshe, dhe rritet e egër ose mbillet në kopshte e në saksi.

Lëpjeta është e pasur me vitaminat: C A, dhe B9 edhe mineralet si kaliumi, magnezi, hekuri dhe kalçiumi.

Kjo barishte është e pasur edhe me acid oksalik, e për rrjedhojë lëpjeta mund të mos jetë zgjedhja e duhur për ata që vuajnë nga reumatizma, gurët në veshka dhe problemet me fshikëzën.

Si Ta Rrisni Në Kushtet e Shtëpisë.

Lëpjeta është një barishte që kërkon diell ndaj farat duhen mbjellë në pranverë.

Mund të zgjidhni një vazo të madhe e të gjerë me dhe’ të pasuruar dhe që lejon kullim të mjaftueshëm.

Farat duhen mbjellë lehtë nën sipërfaqe dhe me hapësirë nga njëra tjetra.

Pehashi i dheut duhet të jetë nga 5.5 në 6.8.

Dheu ku do të mbillni sallatën duhet të jetë i lagësht por jo i qullët.

Përveç dheut të mirë e të shkrifët, vazon mund ta mbushni edhe me rërë dhe pak guralecë por edhe fertilizues.

Filizat e parë duhen krasitur lehtë pas 6-8 javësh nga mbjellja e farave ose kur të arrijnë në 5 centimetra lartësi.

Në muajt e ngrohtë të verës lëpjeta lulëzon shumë dhe çel lule por në të njëjtën kohë ngadalëson prodhimin e gjetheve.

Ju ose mund ta shfrytëzoni lëpjetën për bukuri ose të prini kërcenjtë e luleve që të orientoni prodhimin e bimës drejt gjetheve me shije agrumesh.

Gjethet e lëpjetës mund të këputen në drejtimin nga jashtë brenda dhe kjo është e mundur në fund të stinës së verës.

Gjethet e lëpjetës mund të përdoren jo vetëm në sallata por edhe në supëra kremoze dhe salca të ndryshme./AgroWeb.org