Një gatim fantastik në shije dhe në vlera ushqyese.

Peshku është ushqimi më i mirë për të mbajtur trupin dhe mendjen në formë. Ai është një ushqim i lehtë i pasur në vlera dhe shije.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë një recetë fantastike të përdorur gjerësisht nga amvisat shqiptare, sidomos ato të zonave bregdetare. Është tava me levrek të pjekur me patate.

Receta e Levrekut të Pjekur me Patate

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

4-5 peshk levrek (llojin e peshkut zgjidheni sipas preferencës)

700 gr patate

1 kokërr limon i prerë në feta

Vaj ulliri

Kripë

Rozmarinë

2-3 gjethe dafine

Përgatitja

Patatet i qërojmë, i presim në feta dhe i vendosim në një tavë ku më parë kemi shtruar letër pjekjeje.

Patateve u hedhim kripë, rozmarinë vaj ulliri.

Peshkun e pastrojmë mirë me ujë të rrjedhshëm, përmes një thike të mprehtë i bëjmë dy-tre prerje anash në të dyja anët.

E kriposim, nëse preferoni mund të shtoni pak rozmarinë dhe gjethe dafine në mesin e të prerave.

Prisni një limon në feta të holla dhe vendosni dy feta brenda secilit peshk.

Vendosini peshqit mbi patatet në tavë.

Spërkateni peshkun me pak vaj ulliri dhe lëng limoni, shtoni në tavë një gotë me ujë dhe futeni të piqet në furrën e parangrohur derisa të marrë ngjyrën e artë të pjekjes.

Si të Dalloni Peshkun e Freskët

Peshku duhet të jetë i freskët. Kjo është një nevojë e panegociueshme për çdo konsumator, dhe freskia nuk duhet të merret për e mirëqenë.

AgroWeb.org ju këshillon që kur të afroheni tek zona e peshkut duhet të ndieni aromën e detit, kripës dhe jodit. Kjo është aroma e freskisë.

Peshku i freskët shkëlqen. Është kaq e thjeshtë! Sa më i freskët të jetë peshku aq më e pastër dhe shkëlqyese duket lëkura e tij.

Ndoshta e keni të vështirë ta prekni, por peshku i freskët nuk qëndron dot në dorë sepse ka tendencën të rrëshqasë. Shikojini duart e shitësit me kujdes, bashkë me mënyrën si qëndron peshku në to.

Peshku duhet të jetë mjaftueshëm i ngurtë dhe i tendosur për të qëndruar horizontalisht.

Mishi i peshkut të freskët nuk shkëputet lehtë nga pjesa kurrizore./AgroWeb.org