Nga emri mund të gënjeheni e të mendoni për llokumet me arra, por receta e më poshtme bën fjalë për petulla.

Njihen më së shumti si “llokuma”, këto petulla janë karakteristikë e veriut të Shqipërisë dhe Kosovës.

AgroWeb.org ju sjell këtë recetë tradicionale që premton shije perfekte.

Mund t’i përgatisni kurdoherë për të miqtë dhe të afërmit tuaj pasi janë shumë të lehta për t’u përgatitur.

Mjafton kombinimi i duhur i sasisë së miellit dhe kosit dhe ju do të mrekulloheni me shijen e tyre.

Përbërësit

700 – 800 gr miell

1 gotë uji me kos (250 ml)

3 vezë

1 lugë çaji me sodë buke

Pak sheqer dhe kripë

Përgatitja

Në një tas të madh hidhni vezët, kosin, sheqerin e kripën  dhe me telin e kuzhinës rrihini derisa të formoni një masë të njëtrajtshme.

Ndërkohë bashkoni miellin me sodën e bukës dhe së pari kalojini në sitë.

Kështu do të shmangni krijimin e kokrrizave në brumin e petullave.

Hidheni miellin tek përzierja e kosit dhe vezëve me ndihmën e një lugë gjelle.

Brumi do të jetë më i trashë se i petullave të zakonshme por më i butë sesa ai i byrekut.

Kur të keni mbaruar sasinë e miellit kalojeni në tavolinë dhe punojeni me duar.

Ndajeni brumin në dy pjesë dhe lëreni të pushojë për 30 minuta.

Më pas AgroWeb.org ju sugjeron që ta hapni me petës në formën e një pete me trashësi 1 cm.

Priteni në forma të ndryshme me ndihmën e një thike dhe ndërkohë vendosni një tigan me vaj që të ngrohet.

AgroWeb.org ju këshillon që t’i skuqni petullat duke i kthyer nga të dyja anët derisa të marrin një ngjyrë të artë.

Kur të keni mbaruar me pjesën e parë të brumit hapni dhe tjetrën dhe ndiqni po të njëjtët hapa.

Servirini të ngrohta duke i shoqëruar me reçel, mjaltë ose për personat që preferojnë ushqimet e kripura mund t’i kombinojnë me djathë të bardhë. /AgroWeb.org