Një nga recetat më të dashura është dhe marmalata e mollës, që bashkë me shijen ajo vjen plot kujtime nga fëmijëria.

AgroWeb.org ju sjell hapat e recetës së saj në mënyrë që ta përgatisni kurdoherë për familjarët tuaj.

Mund ta shoqëroni me bukë të ngrohtë, djathë apo dhe ta përdorni si një përbërës për ëmbëlsira të ndryshme.

Marmalata e mollës mund të përgatitet me të gjitha llojet e mollëve përveç mollëve jeshile të athëta.

Mjaftojnë vetëm disa përbërës, dhe duke qenë se mollët tani janë në çdo treg, mos e humbisni rastin për ta përgatitur.

Përgatitja e Marmalatës së Mollës

Përbërësit

2 kg mollë

Lëkurën e gjysmës së një limoni

Tre lugë gjelle me lëng limoni

500 – 600 g sheqer

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të lani me ujë të bollshëm mollët dhe t’i qëroni nga lëkura dhe bërthamat, e më pas pritini në disa copa.

Në një tenxhere hidhni lëkurën e limonit të qëruar shtoni dhe mollët e prera dhe mbulojini me ujë.

Vendoseni tenxheren në zjarr dhe lëreni masën që të zjejnë.

Pasi të kenë marrë valë, ulni nxehtësinë dhe vendosini kapakun tenxheres. Lërini mollët që të ziejnë dhe për 30 – 40 minuta të tjera.

Kështu kur t’i kulloni ato do të jenë të buta sa do të shtypen dhe me pirun.

Pasi të ketë kaluar koha e nevojitur, kulloni mollët dhe mund t’i shtypni në kullore me një lugë, ose t’i vendosni në grirësin elektrik (mikser).

Mollët do të krijojnë një formë pureje, të cilën do ta kaloni përsëri në tenxhere.

AgroWeb.org ju këshillon që ta masni purenë e mollëve, sa gota me pure të keni aq gota me sheqer do të hidhni.

Vendoseni përsëri tenxheren në zjarr të ngadaltë derisa sheqeri të shkrijë plotësisht. Pasi kokrrizat e sheqerit të jenë shkrirë shtoni lëngun e limonit.

Vazhdoni ta përzjeni derisa masa të fillojë të ndryshojë ngjyrë dhe të mpikset.

Masa do të marrë një ngjyrë të thellë kafe, dhe do të jetë e trashë.

Në vijim, ngrohni furrën e sobës në 70 gradë celsius.

Në një tavë jo shumë të madhe vendosni një letër pjekjeje lyejeni me pak gjalpë dhe hidhni masën me mollë.

Me ndihmën e një luge drejtojeni në mënyrë që trashësia të jetë e njëjtë në të gjithë sipërfaqen.

Vendoseni tavën në furrën e parangrohur përreth një orë, në mënyrë që të thahet plotësisht.

Ky proces do t’i japë marmalatës dhe formën e saj karakteristike.

Më pas hiqeni nga furra dhe lëreni të ftohet.

Për ta ruajtur mjafton vetëm ta largoni nga tava dhe ta mbështillni me qese kuzhine ose ta vendosni në një enë qelqi me kapak në frigorifer./AgroWeb.org