Maza e Zier është një traditë e vjetër e Shqipërisë së Veriut.

Receta e së cilës, në kohët e hershme mbahej sekret nga gratë e moshuara të familjes dhe i përcillej vetëm nuses më të madhe.

Maza e zier gatuhej vetëm kur në shtëpi vinin mysafirë të rëndësishëm. Sot, ky gatim unik i veriut të Shqipërisë është ndër specialitetet kryesore të restoranteve me gatime tradicionale shqiptare.

E plotë në shije, e mrekullueshme falë kombinimit të ajkës së qumështit me miellin e misrit. Ky gatim ka magjepsur tërësisht me shijen e saj çdo turist që e ka provuar.

Maza e zier jo vetëm që është një ushqim shumë i shijshëm dhe i plotë por mbi të gjitha receta e saj mbart dhe shumë vlera shëndetësore.

Kjo recetë është e pasur në vlera ushqyese, proteina, fibra dhe kalcium.

Më poshtë, AgroWeb.org u sugjeron recetën autentike të nënave shqiptare për përgatitjen e kësaj pjate të mrekullueshme krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Mazës në Shtëpi

Përbërësit 

Për 5 Persona

500 gr miell misri

500 gr ajkë qumështi

250 gr djathë i njomë (i përgatitur brenda dy ditësh)

kripë

Përgatitja 

Në një enë bakri hedhim ajkën e qumështit dhe e vendosim mbi zjarr.

I lëmë në zjarr të ngadaltë.

Hedhim miellin e misrit në mënyrë graduale duke e trazuar derisa të fillojë zjerja.

Më pas, hedhim djathin e freskët në enë duke e prerë në feta të holla.

Zierja e përbërësve duhet të zgjasë rreth 45 minuta në mënyrë që të largohet era e miellit dhe të lëshojë yndyrën në sipërfaqe.

Sipas preferencës, për më shumë shije të freskët mund t’i shtoni pak majdanoz të grirë në momentin që e servirni.

Maza shoqërohet në mënyrë fantastike me bukë të thekur, byrekë të ndryshëm shtëpie, turshi, gatime të ndryshme me mishra si dhe sallata të freskëta të stinës./AgroWeb.org