Bukenvile apo Lulja e Sarandës është një bimë kacavjerrëse e cila shpërthen në lule të vogla plot ngjyra dhe aromë.

Ajo gjendet në shumë variacione,  por më karakteristikja është ngjyra rozë e ndezur.

Në qytetin e Sarandës kjo bimë zbukuron ballkonet dhe kopshtet e pothuaj të gjitha shtëpive, duke u kthyer në lulen karakteristike të këtij vendi.

Nëse doni ta keni bukenvilen në shtëpinë tuaj, mjaftojnë vetëm disa hapa për ta mbjellë.

AgroWeb.org ju këshillon se fidanët e Lule Sarandës i gjeni në pikat e tregtimit me shumicë të luleve dekorative por mund t’i porosisni edhe në pikat e tregtimit të luleve.

Vendosni ku doni ta mbillni

Lulja e Sarandës, lulëzon në vende të ngrohta dhe të thata.

Në qytete ku klima është më e favorshme kjo bimë mund të mbillet dhe jashtë, por në vende me temperatura të ulëta është mirë që të mbillet në vazo. Kështu mund ta fusni brenda gjatë muajve të dimrit.

Bukenvilet rriten në vende ku temperaturat gjatë natës nuk bien poshtë 16 gradëve, dhe temperaturat maksimale nuk  kalojnë 39 gradë.

Gjeni një vend me diell

Lulja e Sarandës është një bimë që kërkon rrezet e diellit në mënyrë që të rritet sa më mirë.

Mundohuni që vazoja të jetë në një pozicion ku e kapin rrezet e diellit, pasi asaj i nevojiten të paktën 6 orë ekspozim në diell që të lulëzojë.

AgroWeb.org ju udhëzon që të zgjidhni pleh me minerale dhe të thatë.

Bukenvilet nuk rriten nëse dheu në të cilin mbillen ka shumë lagështirë, prandaj sigurohuni që plehu që do të përdorni të jetë i thatë.

Nëse doni, në fund të vazos hidhni disa guralecë të vegjël, që uji të qarkullojë më shpejtë.

Si ta mbillni

Merrni një vazo të madhe, lulja e Sarandës ka nevojë për një bazament të qëndrueshëm.

Në fillim vendosni disa guralecë, më pas shtëpi plehun e thatë.

Në mes të vazos gërmoni një gropë sa të mbulohen rrënjët e fidanit plotësisht.

Shtoni dhe pak pleh, dhe shtypeni ngadalë zonën rreth kërcellit të lules.

Ujiteni me masë

Bukenvilet dobësohen nëse kanë shumë ujë, dhe nuk arrijnë të çelin lulet, por qëndrojnë të gjelbërta gjatë gjithë vitit.

Nga ana tjetër nuk duhet të lejoni dhe që dheu i vazos të thahet plotësisht.

Gjeni një të mesme të artë, ujiteni aq sa të shikoni që plehu është i njomë mjaftueshëm.

Krasitni që të lulëzojë

Lulja e Sarandës ka nevojë për krasitje, në mënyrë që të forcohet dhe që të marri një formë të mirë.

AgroWeb.org ju këshillon që ta krasisni pasi bima të ketë rrëzuar lulet.

Mund të prisni disa centimetra degët e saj, në mënyrë që në pranverë të jetë akoma dhe më e fortë.

Lule që kacavirren

Duke qenë se bukenvilet janë bimë që kacavirren, do të vini re që ajo do të filloj të kërkojë një mbështetje.

AgroWeb.org ju sugjeron që vazon ta vendosni në një vend që të ketë mjaftueshëm hapësirë dhe ku degët e saj të arrijnë të gjejnë një mbështetje./AgroWeb.org