Kërpudhat janë një ushqim shumë i mirë për ata që kujdesen për shëndetin e zemrës.

Ato janë shumë të pasura me fibër, kalium dhe vitaminë C, të cilat mirëmbajnë sistemin kardiovaskular.

Kaliumi është një nga ushqyesit më të nevojshëm sepse ndihmon në rregullimin e nivelit të tensionit të gjakut.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni 3 receta mjaft interesante për gatimin e shijshëm të kërpudhave.

Kërpudha me gjalpë dhe kopër

Përbërësit

230g kërpudha

20g gjalpë

1 tufë me kopër

Kripë

Piper

Përgatitja

Si fillim lani dhe pastroni kërpudhat. Lërini të thahen plotësisht para se t’i gatuani.

Pritini në feta jo shumë të trasha. Ndërkohë vendosni një tigan në zjarr dhe hidhni gjalpin.

Kur ai të shkrijë hidhni kërpudhat dhe kaurdisini me kujdes.

Kur kërpudhave t’u ketë rënë volumi dhe të kenë marrë një ngjyrë të artë shtoni dhe pak gjalpë.

Lërini dhe pak të skuqen dhe shtoni kripën, piperin dhe koprën e grirë.

Supë me kërpudha

Përbërësit

4 lugë gjelle me gjalpë

1 lugë gjelle me vaj ulliri

2 qepë të grira

4 thelpinj hudhër

750g kërpudha

6 lugë gjelle me miell

4 gota me ujë

1 gotë me qumësht

Kripë

Piper

Majdanoz i grirë.

Përgatitja

Vendosni një tenxhere në zjarr dhe hidhni gjalpin. Shtoni hudhrën dhe qepën e grirë dhe lërini të skuqen.

Hidhni kërpudhat e prera dhe kaurdisini lehtë për 5-7 minuta.

Spërkatini kërpudhat me miellin, kaurdisini dhe skuqini dhe për 2 minuta të tjera.

Hidhni ujin dhe lëreni të ziejë.

Më pas shtoni dhe qumështin, kripën dhe piperin dhe lëreni në zjarr sa të trashet lëngu duke e puerzier herë pas here që të mos krijohen kokërriza.

Kur supa tue jetë gati hiqeni nga zjarri dhe spërkateni me majdanoz të grirë.

Kërpudha të mbushura

Përbërësit

20-24 kërpudha të mëdha të pastruara nga kërcelli

2 lugë gjelle me vaj ulliri

250g mish i grirë

2-3 qepë të njoma të grira imët

3 thelpinj hudhër

Kripë

Piper

125g salcë kosi

125g dhjathë

1 tufë majdanoz i grirë

Përgatitja

Ngrohni sobën në 180 gradë. Lyeni mirë me vaj dy tava.

Qëroni dhe lani kërpudhat e lërini mënjanë.

Në një tigan hidhni një lugë vaj dhe vëreni në zjarr. Skuqni aty mishin e grirë derisa të marrë një ngjyrë të kafenjtë.

Kërcenjtë e kërpudhave pritini imët dhe hidhini në tigan për t’i skuqur.

Shtoni djathin dhe salcën e kosit dhe lëreni në zjarr derisa të formohet një masë e njëtrajtshme.

Shtoni hudhrat dhe qepët e njoma të grira, kripën dhe piperin dhe skuqini dhe për 2-3 minuta.

Mbushni kërpudhat dhe vendosini në tavat e lyera me vaj.

Spërkatini dhe pak me vaj ulliri dhe futini për t’i pjekur për 20 minuta./AgroWeb.org