Mishi pa dyshim është një nga pjatat kryesore të çdo vakti me mijëra kombinime shijesh.

Sfida e përditshme që amvisat kanë është përgatitja e këtij ushqimi në mënyra sa më të mira.

Një rol të rëndësishëm tek recetat e mishit ka edhe cilësia dhe pjesa e mishit të përzgjedhur.

Bifteku është nga më të preferuarit pasi konsiderohet si pjesa më e mirë për t’u ngrënë.

Ndaj në këtë recetë AgroWeb.org ju sjell shijen më të mrekullueshme të përgatitjes së mishit të zhytur në salcë domatesh.

Më poshtë e gjeni të shpjeguar hap pas hapi këtë recetë me shije të mrekullueshme.

Përbërësit

300 gr biftek viçi

200 gr salcë domatesh

1 thelbi hudhër

vaj ulliri

kripë

rigon

piper i zi

Përgatitja

Për të nisur këtë recetë sa më mirë AgroWeb.org ju këshillon të zgjidhni një tigan të thellë dhe t’a vini në zjarr mesatar.

Spërkateni me pak vaj ulliri dhe shtoni edhe 1 thelbi hudhër të prerë përgjysmë më parë.

Lëreni hudhrën të skuqet për disa sekonda dhe më pas shtoni edhe salcën e domateve bashkë me gjysmë filxhani ujë.

Në mënyrë që salca të ziejë më shpejt dhe të jetë mjaftueshëm e lëngshme.

Më pas shtoni sipas dëshirës kripën me piperin e zi për më shumë shije, duke e lënë salcën në zjarr të mesëm për 10 minuta.

Shtoni copat e biftekut të cilat mund të zgjidhni t’i prisni në madhësinë që ju dëshironi edhe më të vogla se biftekët normal.

Kujdesuni që në tigan të ketë vend për të gjitha copat e mishit dhe me një pirun mundohuni t’i ktheni ato nga të dyja anët.

Në mënyrë që të jenë të mbuluar nga salca e domateve sa më shumë.

Ndërkohë shtoni edhe pak rigon sipër tyre dhe mbulojeni tiganin me kapak.

Lërini të gatuhen për disa minuta, deri ne 3-4 minuta nga secila anë e mishit.

Ky gatim do të jetë gati kur të shikoni që të gjitha copat  e mishit janë skuqur aq sa duhet.

Pasi të jetë gati, lëreni të ftohet pak dhe vëreni në pjata të veçanta.

Më pas mund ta shërbeni këtë gatim me aromë dhe shije të mrekullueshme për të gjithë familjen./AgroWeb.org