Në zonën e Shkrelit të Malësisë së Madhe kultivohet për më se 200 vjet një nga varietetet e misrit.

Kjo bimë i përket familjes Zea Mays, dhe sipas gojëdhënave, është sjellë nga Turqia në fshatin

Reç në fillim të viteve 1800 nga Ibrahim Zogu.

Fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar në familje brez pas brezi.

Aktualisht misri i bardhë zë rreth 15-20% të sipërfaqes që mbillet me misër në këtë fshat dhe ato rreth tij.

Ky varietet është i rrezikuar pasi momentalisht mbahet nga pak familje.

Faktori kryesor që po përshpejton zhdukjen e tij është futja në prodhim e kultivarëve modern (hibride) të importit.

Kushtet e kultivimit të Misrit të Bardhë të Reçit

Misri mbillet në tarraca malore, me ekspozicion nga lindja, me toka të thella, të pasura me lëndë organike e të freskëta në verë.

Kultivohet kryesisht në zona pa ujitje.

Bimët janë me shtat të mesëm, 170-180 cm, kërcell i veshur mirë me gjethe, kalli i mesatar, me koçan dhe kokërr të bardhë, me konsistencë qelqore.

Sipas të dhënave ky është një misër me cikël mesatarisht të mesëm, 90-94 ditësh; mbillet në mes të muajit Prill dhe vilet në mes të muajit Gusht.

Pa vjeljes prodhimi seleksionohet, thahet mirë dhe ruhet në koçekë druri për konsum në vijimësi.

Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve, temperaturave të ulëta dhe të larta.

Jep prodhim të qëndrueshëm; si dhe vlerësohet për faktin se me të bën bukë të mirë e cilësore.

Misri është i pasur me ushqyes

Sipas të dhënave, të cilave i referohet AgroWeb.org konstatohet se misri, pavarësisht ngjyrave, është i pasur me ushqyes përfshirë antioksidantët, beta karotenin dhe luteinën.

Janë karotenoidët ato që i japin misrit ngjyrat e veçanta.

Karotenoidët janë të dobishëm në parandalimin e sëmundjeve të syve, ndaj thuhet që karota të ndihmon të shohësh në errësirë. Misri përmban vitaminat B dhe C, së bashku me magnezin dhe kaliumin./AgroWeb.org