Sipas të dhënave studimore, nivelet e ulta të vitaminës D, rrisin rrezikun e inflamacionit dhe sëmundjeve të mushkërive.

Mushkëritë mbështillen nga një rrjetë shumë e hollë indesh që lehtësojnë shkëmbimin e ajrit nga mushkëritë në gjak.

Kjo shtresë është aq e hollë sa nuk mund të shihet jo vetëm me sy të lirë por as në skaner.

Kjo shtresë e rëndësishme e mushkërive është shënjestër e shumë sëmundjeve dhe problemeve siç janë inflamacioni apo edema.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, disa prej sëmundjeve që mund të prekin këtë pjesë të mushkërive janë pneumonia, fibroza idiopatike pulmonare, e shumë të tjera.

Nëse kjo shtresë çahet apo tjetërsohet, ajo ndikon menjëherë në funksionin e këtij organi respirator.

Dëmet janë të pakthyeshme, thonë mjekët.

Sipas tyre identifikimi i faktorëve të rrezikut mund të jetë një hap shumë i mirë parandalues.

Gjetjet e disa studimeve të fundit të cilave u referohet AgroWeb.org, thonë se mungesa e vitaminës D mund të jetë faktor rreziku në shfaqjen e disa prej sëmundjeve të lartpërmendura.

Vitamina D është shumë e rëndësishme kundër inflamacionit dhe për imunitetin e fortë.

Kjo vitaminë ka një rol pengues për shumë sëmundje që prekin mushkëritë, përfshirë edhe azmën.

Burimet e Vitaminës D

Njeriu e merr pjesën më të madhe të vitaminës D nëpërmjet rrezeve të diellit.

Kur këto rreze, sidomos ato të mesditës, bien në kontakt me lëkurën, nxisin prodhimin e vitaminës D.

Njerëzit që jetojnë në vende me klimë të ngrohtë me shumë diell përfitojnë më shumë.

Vitaminën D mund ta marrin edhe nëpërmjet disa ushqimeve.

Bëhet fjalë për ushqime të fortifikuara ose të pasurura siç janë qumështi dhe drithërat apo tek peshqit si salmoni, toni dhe skumbria.

Vitaminë D ka edhe vaji i papërpunuar i peshkut dhe i merlucit të cilin mund ta gjeni si suplement në farmaci./AgroWeb.org

* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

Burimi: U.S. National Library of Medicine