Ndryshimet e Vlerave – Arra e Zezë Apo Arra Kafe

1.2k 0

Arrorët e Shqipërisë janë një krenari kombëtare. Vendi ynë është i pasur me arra të zeza dhe arra ngjyrë kafe, të cilat i përkasin familjes botanike Juglans, por ato që gjenden më shumë në vend janë arrat ngjyrë kafe.

Po t’i hedhim një sy arrave të zeza dhe ngjyrë kafe, do të vërejmë se arra e zezë rritet kryesisht për drurin dhe për pjesën e ngrënshme që përdoret për aromë shtesë ose për ekstrakte të ndryshme. Arrat ngjyrë kafe nga ana tjetër shfrytëzohen plotësisht dhe janë më të përdorura në shumë aspekte.

Arrat kafe pra ato të zakonshmet janë ato që kultivohen me shumicë në gjithë Shqipërinë, ndërsa arrat e zeza janë historikisht më të vjetra dhe shumë njerëz i quajnë edhe arra të egra. Në të vërtetë arra e zezë nuk është krejt e egër por thjesht më e rrallë. Arsyeja kryesore e kultivimit të arrave të zakonshme është rendimenti i tyre shumë më i lartë se sa arrat e zeza, por të zezat kanë vlera më të mëdha dhe krahasimin për ju e sjell AgroWeb.org në vijim.

Nëse krahasojmë lëvozhgën e arrës, ajo ngjyrë kafe ka një lëvozhgë më të butë dhe më të hollë, që do të thotë se kjo arrë çahet lehtë. Arra e zezë nga ana tjetër ka një lëvozhgë më të trashë dhe në ngjyrë jeshile. Arrat e zeza kanë një aromë më të ndezur, por arrat ngjyrë kafe kanë një shije më të butë. Falë kësaj karakteristike, arrat ngjyrë kafe përdoren për ushqime të pjekura, ëmbëlsira dhe akullore.

Zbërthimi i arrës ngjyrë kafe është një proces më i lehtë. Lëvozhga çahet shpejt dhe pjesa e brëndshme nxirret menjëherë. Ky proces është më i vështirë tek arra ngjyrë e zezë, duke qenë se lëvozhga është e ndërthurur me tulin e brendshëm.

Të dyja arrat kanë një përmbajtje të ngjashme ushqyesish. Megjithatë, arrat e zeza përmbajnë më shumë proteina dhe yndyrna në krahasim me arrorët e tjerë dhe si rrjedhim janë bartëse të më shumë vlerave medicinale.

Thelpinjtë apo meset e arrave të zeza kanë efekte edhe më të fuqishme kur përdoren si çaj mjekësor kundër problemeve të zemrës dhe frymëmarrjes. Kjo është arsyeja që arra e zezë mblidhet dhe përdoret për qëllime medicinale, ndërsa arra kafe është më e përdorur si ushqim.

Të dyja arrat janë të pasura me acide yndyrore omega 3 dhe acidin Alpha Linolenik. Nëse vëzhgojmë pemët përkatëse, pema e arrës ngjyrë kafe ka një lëvore më të lëmuar dhe të butë, ndërsa lëvorja e pëmës së arrës së zezë është më e plasaritur.

Për ta përmbledhur:
Arra e zezë rritet kryesisht për drurin e pemës dhe për masën e saj. Arra ngjyrë kafe rritet për të gjitha përdorimet e mundshme dhe është më e ngrënshme.
Arra ngjyrë kafe ka një lëvozhgë më të butë dhe më të hollë ndërsa arra e zezë ka një lëvozhgë të dendur dhe të trashë. /AgroWeb.org