Fibra është një element thelbësor i një regjimi të shëndetshëm ushqimor.

Pavarësisht domosdoshmërisë së saj, njerëzit nuk marrin sasi të mjaftueshme ditore të fibrës.

Prania e saj në organizëm është thelbësore për tretjen por edhe kundër sëmundjeve të zemrës, diabetit të tipit 2 dhe kancerit të zorrës së trashë.

Fibra gjendet tek disa ushqime siç janë: frutat, perimet, legumet dhe drithi i plotë.

Çfarë Është Fibra?

Fibra është një karbohidrat kompleks (një lloj sheqeri) por krejt ndryshe nga karbohidratet e tjera që shpërbëhen në organizëm në formën e glukozës.

Fibra gjendet në dy forma: e tretshme dhe jo e tretshme.

Fibra e tretshme gjendet tek tërshëra, elbi, fasulet, drithërat e plotë, arrorët, farat, frutat dhe perimet.

Ajo tretet në stomak në formë xhelatinoze dhe siguron që grimcat ushqimore të përthithen më ngadalë duke penguar luhatjet e sheqernave në gjak.

Fibra e patretshme nga ana tejtër përthith lëngjet duke lehtësuar jashtëqitjen dhe penguar konstipacionin.

Ajo gjendet tek drithërat e plotë, frutat, perimet dhe arrorët.

Sasia e Nevojshme e Fibrës Për Shëndetin e Mirë

Një fetë bukë me drith të plotë ofron 4 gramë fibër.

Një lugë gjelle me copa frutash apo perimesh ofron 1 gramë fibër, ndërsa arrorët dhe farat përmbajnë mbi 2 gramë.

Ekspertët rekomandojnë ngrënien e 5 racioneve me fruta dhe perime në ditë për të plotësuar nevojat për fibër.

Udhëzimet e ekspertëve tregojnë se njeriu duhet të konsumojë 30 gramë fibër në ditë.

Përse Duhet Të Hani Drithëra Të Plota

Drithërat e plota treten më ngadalë se ato që janë të përpunuar.

Ekspertët tregojnë se stomaku i njeriut e tret më ngadalë një panine me drith të plotë se një panine normale me miell të bardhë.

Për më tepër, produktet e përgatitura me karbohidrate të përpunuara përmbajnë sasi të mëdha yndyrnash dhe sheqeri.

Ato të ngopin me vështirësi dhe rrjedhimisht bëjnë që njeriu të shtojë më shumë në peshë.

Fibra nga ana tjetër është një aleate shumë e mirë.

Ajo jo vetëm që të ngop dhe përmirëson tretjen por edhe ndihmon kundër mbipeshës dhe kancerit të zorrës së trashë./AgroWeb.org