Nis Panairi Ndërkombëtar Për Prodhimet dhe Produktet Bujqësore – Të Gjithë Në Expocity Albania

503 0

Për të dytin vit radhazi, Expocity Albania çeli sot, më datë 15 mars, Panairin Ndërkombëtar të Agrobiznesit “Agro-Tech 2018”, duke shënuar një ndër ngjarjet më të rëndësishme të vitit për sektorin e bujqësisë.

Rreth 70 ekspozues dhe përfaqësues të biznesit në fushat të ndryshme të bujqësisë vendas dhe të huaj  u mblodhën në panairin ndërkombëtar “Agro Tech 2019” jo vetëm për të prezantuar produktet e tyre por mbi të gjitha për të nisur bashkëpunime të ndërsjellta që mund të kapërcejnë kufijtë e Shqipërisë.

Të pranishëm në hapjen e këtij eventi të rëndësishëm, ishin Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipermarrjes , Eduard Shalsi, Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, CEO e Expocity Albania, Aida Lutaj, përfaqësues të kompanive të ndryshme bujqësore, institucioneve qeveritare, institucioneve bankare por edhe blerës potencial të sektorit e vizitorë të shumtë etj.

Në fjalën hapëse të panairit, Znj.Lutaj falenderoi autoritetet përkatëse për mbështetjen e sektorit të bujqësisë dhe mbështjen e këtij organizimi i cili synon të jetë i pervitshëm.

Ajo vlerësoi rëndësinë e këtij panairi ndërkombëtar jo vetëm si një shtysë për zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë dhe nxjerrjen në pah të potencialit të vërtetë të këtij sektori por gjithashtu edhe në krijimin e një fryme të re bashkëpunimi midis përfaqësuesve të agrobiznesit me njeri tjetrin në shkëmbimin e eksperiencave dhe hapjen e tregut të prodhimeve e produkteve shqiptare në vendet e rajonit dhe Europë gjithashtu.

Të Gjithë Sytë nga Bujqësia

Në fjalën e tij, Ministri i Bujqësisë, Blendi Çuçi ndërsa vlerësoi peshën e madhe të këtij panairi përsa i përket mundësisë së artë i jepet sektorit të bujqësisë tha se kjo ngjarje dëshmon për vëmendjen e duhur që sot i jepet bujqësisë në vend si dhe rëndësinë që ky sektor me potencial ka në zhvillimin e vendit.

Ministri Çuçi tha se në këtë panair, i cili ka mbledhur agrobiznese të mëdha brenda dhe jashtë vendit nxitet krijimi i njohjeve dhe bashkëpunimeve të mirëfillta me njeri tjetrin teksa veçoi si një hap të rëndësishëm organizimin e konferencës me përfaqësues të GLOBAL G.A.P. ku fermerët dhe sipërmarrësit e bujqësisë do të njihen me mundësinë për të vulosur me notën e garancisë prodhimet apo produktet e tyre, për t’i njohur më tej në tregjet e BE.

Edhe Kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky panair është një mundësi shumë e mirë jo vetëm për ekspozimin e produkteve dhe teknologjive bujqësore, por edhe për të krijuar sa më shumë lidhje për shkëmbime dhe biznes. Velaj tha se është koha ku sektori i bujqësisë meriton një vëmndje më të madhe e konkrete në zhvillimin e tij ndërsa prezantoi disa nisma të bashkisë që synojnë fuqizimin e mëtejshëm të këtij sektori.

Një nga përpjekjet më të mëdha të këtij panairi në hapjen e tregut të prodhimeve bujqësore ashtu si edhe qasjen e këtyre prodhimeve drejt certifikimit të standardeve dhe cilësisë është edhe konferenca me përfaësues të Global G.A.P, e cila do të mbahet në ditën e dytë (të shtunën 16  mars)  të punimeve të këtij panairi dhe do t’i dedikohet informimit të feremerëve dhe prodhuesve bujqësorë mbi hapat që duhet të ndjekin për të certifikuar produktet e tyre.

Pse Nuk Duhet Të Mungoni në Panair

Panairi, i cili nisi sot do të vijojë edhe gjatë ditës së nesërme.

Në këtë panair, konsumatorët do të gjejnë një hapësirë unike me larminë e të gjitha produkteve bujqësore dhe do të njihen me tendencat e fundit në treg mbi sektorin.

Panairi është një pikëtakim ideal për t’u vizituar nga fermerë e prodhues bujqësorë, ashtu si edhe blerës potencialë të sektorit, apo autoritetet të zhvillimit të kooperativave bujqësore, kompani eksportuese të makinerive bujqësore, distributorë rajonale të kompanive importuese, shoqatat tregtare të bujqësisë, investitorët e huaj etj.

Si ekspozuesit edhe vizitorët do gjejnë në panair informacione mbi zgjidhjet më të fundit dhe më të efektshme të teknologjisë, programet e reja financiare për sektorin e bujqësisë, tendencat në tregjet vendase dhe ndërkombëtare si dhe mundësitë e investimit etj./AgroWeb.org