Një studim i ri mbi shëndetin e zemrës shpjegon se nivelet e kolesterolit në organizëm rriten në dimër dhe ulen në verë.

Ekspertët thonë se arsyet pas këtyre luhatjeve të kolesterolit sipas stinës kanë të bëjnë me ndryshimet në ushqyerje, aktivitet fizik dhe ekspozimi në diell.

Çfarë Ndodh Me Kolesterolin Në Dimër Dhe Në Verë

Në dimër, njerëzit konsumojnë më shumë kalori dhe hanë ushqime me shumë yndyrë.

Ky stil jetese ka një ndikim të drejtpërdrejtë tek kolesteroli i keq.

Për më tepër, në dimër, njerëzit kryejnë më pak aktivitet fizik, nuk ekspozohen mjaftueshëm në diell, që do të thotë nuk marrin mjaftueshëm vitaminë D.

Nga ana tjetër, në dimër, njerëzit janë më të rrezikuar nga gripi dhe e ftohura gjë që ndikon tek nivelet e kolesterolit.

Në verë, niveli i kolesterolit të mirë rritet me 9 përqind, por edhe ai i triglicerideve rritet me 5 përqind.

Në këtë stinë, njeriu qëndron më shumë në ambiente të jashtme, është më aktiv dhe ushqehet më shëndetshëm.

Ushqimet e Verës Që Ulin Kolesterolin

Vera është një stinë shumë bujare në aspektin ushqimor.

Ajo ofron fruta dhe perime që janë të shëndetshme e që mbrojnë organizmin nga një sërë sëmundjesh.

Frutat më të pasura me vitamina e minerale që ndihmojnë në uljen e kolesterolit janë kajsitë dhe mjedrat.

Kajsitë janë shumë të pasura me fibër dhe beta karoten të cilat ndihmojnë në uljen e kolesterolit dhe mbrojnë shëndetin e zemrës.

Mjedrat përmbajnë shumë antioksidantë dhe vitaminë C.

Avokado është një ushqim tjetër i shëndetshëm për zemrën dhe për uljen e kolesterolit.

Acidet yndyrore, antioksidantët dhe vitaminat E dhe C mbrojnë enët e gjakut dhe zemrën në përgjithësi.

Vaji më i mirë për konsum në verë por edhe në çdo stinë mbetet vaji i ullirit i cili kur është ekstra i virgjër ofron yndyrna mono-të-pangopura që ulin kolesterolin.

Thjerrëzat nga legumet dhe skumbria nga peshqit janë dy alternative shumë të shijshme e të shëndetshme ushqimore për uljen e kolesterolit./AgroWeb.org