Një Recetë e Ëmbël Tradicionale nga Arbana Osmani

854 0

Pasionin për kuzhinën e jetësoi edhe me një libër plot receta të ëmbla e të kripura, tradicionale dhe jo tradicionale, të cilat teksa i lexon ndër rreshta të ndjellin menjëherë shijen.

Është prezantuesja e njohur Arbana Osmani, e cila krahas pasionit të saj për ekranin, ka dhe një pasion tjetër, kuzhinën.

AgroWeb.org sjell më poshtë një recetë të ëmbël të përzgjedhur nga libri “Receta për njerëzit që dua”, nga Arbana Osmani.

Bëhet fjalë për sheqerparen e Dibrës, zonë e cila në fakt shquhet për gatimin e kësaj ëmbëlsire.

“Nuk kisha se si të mos përfshija ëmbëlsirën dibrane “parexcellence”, megjithëse, për të qenë e sinqertë me ju, ende nuk ia kam dalë që sheqerparen ta bëj as si mamaja ime e aq më pak siç e bën Lida, nusja e xhaxhait.

Receta e mëposhtme është pikërisht e Lidës, e cila nuk përton kurrë të përgatisë tepsi gjigante me këtë ëmbëlsirë fantastike.

Sipas një tradite dibrane, sheqerparen e sjellin miqtë si ogur të mirë e të ëmbël në raste gëzimesh, që në Dibër quhen ‘përvitçe’.” citon Arbana Osmani në përshkrimin e kësaj recete.

Tradita shqiptare e ëmbëlsirave është e pasur me receta të mrekullueshme. Foto: Flickr

Për një tepsi me diametër 40-50 cm nevojiten këta përbërës

Gjalpë 500 g

Vezë fshati 10 kokrra

Miell 500 g

Për sherbetin

700 g sheqer

500 ml ujë

2 lugë çaji me lëng limoni

Përgatitja

Në një tigani shkrijmë gjalpin dhe e lëmë të ftohet.

Ndërkohë në një tas hedhim vetëm të verdhat e vezëve dhe aty shtojmë gjalpin dhe i rrahim derisa të krijohet një masë homogjene.

Marrim një tepsi dhe në mes të saj vendosim miellin e situr, hapim një gropë ku hedhim vezët me gjalpin.

Fillojmë dhe mbledhim brumin me gishta, derisa të ngopet gjithë gjalpi dhe veza.

Brumi nuk duhet të jetë i fortë, por mjaftueshëm i butë që kur të merret një copë në dorë, të mund të krijohen toptha lehtësisht.

Tavën që do përdorim për pjekjen e ëmbëlsirës, e lyejmë me pak gjalpë, dhe i radhisim si gurabije duke i sheshuar lehtë me dorë.

I pjekim në furrë me 200 gradë, ose derisa të marrin ngjyrë të florinjtë. Por kujdes, pasi ato nuk duhet të skuqen.

Ndërkohë që ëmbëlsirat piqen, përgatisim sherbetin.

Në një tenxhere hedhim ujin dhe sheqerin, i përziejmë derisa të jenë tretur dhe më pas e vendosim në zjarr për disa minuta.

Më pas shtojmë dhe lëngun e limonit.

Kur të jenë pjekur sheqerparet, duhet t’ia hedhim sherbetin të nxehtë sapo e nxjerrim nga furra.

Ëmbëlsira ka dalë e mirë nëse, kur i hedhim sherbetin, ajo e pi në çast.

Më pas e lëmë të ftohet plotësisht dhe e shërbejmë të ftohtë. /AgroWeb.org