Gjiza është një nga krenaritë më të mëdha të kuzhinës shqiptare.

Ajo përbën një bazë fantastike për gatime të ndryshme e të shijshme por mund të serviret edhe si një vakt i vetëm.

Një pjatë me gjizë, domate, qepë të njoma e kos është një vakt veror por jo vetëm që të ngop në vlera dhe në shije.

Ajo përshtatet shumë mirë me specat e skuqur, spinaqin, vajin e ullirit, hudhrën por edhe vezën.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni se si të përgatisni një omletë të shijshme dhe të pasur në proteina.

Proteinë Në Mëngjes

Studimet tregojnë se ngrënia e një mëngjesi të pasur në proteina aktivizon sinjalet e trurit për frenimin e oreksit gjë shumë e rëndësishme kundër shtimit në peshë.

Proteina është thelbësore për zhvillimin e muskujve.

Ajo duhet konsumuar kryesisht në mëngjes dhe merret nëpërmjet ushqimeve si vezët, qumështi, kosi, djathi dhe gjiza.

Proteina ju mban të ngopur për shumë gjatë dhe ju jep energji për pjesën e parë të ditës.

Omletë me Gjizë Për Një Mëngjes Me Proteina

Përbërësit:

2 vezë

1 lugë gjelle me qumësht me yndyrë

Një majë luge çaji me kripë

Pak piper të zi,

Gjysëm lugë gjelle gjalpë pa kripë,

1 filxhan çaji me spinaq gjethevogël

3 lugë gjelle gjizë

Përgatitja:

Merrni një pjatë të thellë dhe hidhni vezët, qumështin, kripën dhe piperin.

Rrihini vezët fort dhe mjaftueshëm sa të formojnë një shkumë në sipërfaqe.

Vendoseni tiganin në zjarr dhe pasi të jetë ngrohur pak hidhni gjalpin.

Mbajeni temperaturën në nivel mesatar.

Kur gjalpi të jetë shkrirë plotësisht, hidhni spinaqin dhe kavërdiseni për 30 sekonda.

Më pas hidhni vezët dhe rrotullojeni tiganin në mënyrë që vezët të përhapen në të gjithë bazën e tij.

Përdorni një lugë druri për t’i dhënë omletës formën e dëshiruar.

Gatujeni omletën për rreth 2 minuta deri sa pjesët anësore të saj të jenë plotësisht të bëra ndërsa qendra e saj të jetë e njomë.

Hiqeni tiganin nga zjarri.

Në njërën anë të omletës hidhni gjizën dhe më pas paloseni omletën duke e lënë të rrëshqasë në pjatë./AgroWeb.org