Omletat shumë të thjeshta dhe të dashura për t’u përgatitur dhe tashmë i gjeni në qindra mënyra përgatitje.

Janë një mënyrë e mirë për të filluar ditën të ngopur dhe të shëndetëshëm ndaj kombinimi i tyre me perime është zgjedhja e duhur.

Veza është e pasur me vitaminë A, D dhe kalçium që përbëjnë një miks të mirë vlerash për t’a nisur ditën plot me energji.

Në këtë recetë AgroWeb.org do t’ju tregojë se si të përgatisni omletë me lulet e kungullit dhe shija do t’ju mahnisë.

Lulet e kungullit nga ana tjetër janë një zgjedhje e përkryer për personat që vuajnë nga osteoporoza pasi janë të pasura me hekur, magnez, kalçium dhe kripra minerale.

Ndiqni hap pas hapi si më poshtë këshillat e AgroWeb.org për t’a relizuar këtë omletë plot vlera.

Përbërësit

6 vezë

15 lule kungulli

3 lugë vaj ulliri

gjysme tufe majdanoz

kripë

piper

Përgatitja

Për realizimin e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon të filloni me pastrimin e luleve të kungullit.

Lajini dhe pastrojini mirë duke lënë vetëm petalet e tyre.

Pasi t’i keni pastruar ato, pritini në fije të holla dhe të barabarta përsërgjati.

Në një tigan mesatar hidhni një lugë vaj ulliri dhe shtoni edhe petalet e luleve të kungullit.

Shtoni edhe sasinë e kripës që dëshironi dhe lërini të skuqen për disa minuta.

Hiqeni tiganin nga zjarri dhe lërini të ftohen, më pas shtoni majdanozin e grirë në copa të vogla.

Më pas shtoni edhe dy lugë të tjera vaj tek tigani ku ndodhen lulet e kungullit, dhe vendoseni në zjarr shtoni pak piper sipas dëshirës dhe vezët e rrahura mirë.

Trazojini shpejt të gjithë përbërësit për disa sekonda dhe lëreni më pas të mpikset.

Kur veza të fillojë të skuqet kthejeni omletën nga të dyja anët dhe gatuajeni siç bëni zakonisht.

Hiqeni nga zjarri kur veza të jetë gati dhe vendoseni në një pjatë të madhe për t’a konsumuar menjëherë.

Sipas dëshirës mund të shtoni edhe dy lugë të tjera vaji sipër pasi t’a keni përgatitur.

Shoqerojeni me ushqimet dhe pijet tuaja të preferuara të mëngjesit dhe do të merrni gjitha vlerat e këtij ushqimi të mrekullueshëm./AgroWeb.org