Pastiçoja është një recetë klasike që mrekullon me shijen e saj si të rriturit dhe të vegjlit.

AgroWeb.org sot ju sjell një tjetër mënyrë të përgatitjes së saj, me qumësht dhe vezë.

Më pak e kushtueshme dhe me më pak përbërës, por kjo nuk do të thotë shija nuk është po aq mahnitëse.

Mund të përdorni çdo lloj makaronash nga makaronat e gjata e deri tek ato në formën e tubave apo formave të tjera.

Një recetë e lehtë që përgatitet në vetëm 40 minuta, dhe pa ju munduar gjatë përgatitjes së saj.

Përbërësit për 4 persona

350 gr makarona të gjata (ose makarona të tjera)

5 vezë

50 g gjalpë

Kripë

Piper

2 gota me qumësht

Përgatitja

Si fillim vendosni një tenxhere të mbushur me ujë për të zierë në zjarr.

Kur ajo të fillojë të vlojë shtoni pak kripë dhe më pas makaronat që keni përzgjedhur.

Lërini të ziejnë derisa të jenë zbutur.

Kulloni dhe shpëlani me ujë të ftohtë makaronat, kështu makaronat nuk do të zbuten më shumë.

Ndërkohë në një tas hidhni vezët pak kripë dhe piper dhe me telin e kuzhinës rrihini.

Më pas dalëngadalë shtoni qumështin dhe përsëri përzjejini derisa masa të jetë homogjene.

Merrni një tavë dhe në të hidhni pak gjalpë për të lyer sipërfaqen e saj.

Shtoni makaronat e ziera dhe shtoni në copa të vogla pjesën tjetër të gjalpit.

Në fund në tavën me makarona shtoni sasinë e qumështit dhe vezëve.

Vendoseni në furrë të parangrohur me 220 gradë Celsius, për t’u pjekur përreth 30 minuta ose derisa qumështi të jetë mpiksur.

AgroWeb.org ju këshillon që nëse doni një pjekje më perfekte, si fillim vendoseni tavën të piqet nga poshtë e më pas në sipërfaqe.

Kështu pjekja do të jetë e njëtrajtshme dhe pastiçoja do të jetë gati për t’u servirur.

Kjo recetë duhet të konsumohet e ngrohtë dhe mund të shoqërohet me sallata me perime te stinës. /AgroWeb.org