Peshku është një nga ushqimet më të shëndetshme që mund të servirni të tavolinat tuaja.

Shumë i rekomanduar nga mjekë dhe dietologë jo pa qëllim, pasi është i pasur më vitamina shumë të vlefshme për trupin.

Është burimi më i madh i acideve yndyrore omega-3, që ndihmojnë në rigjenerimin e trurit të gjithë organizmit.

Shija e tij e mrekullueshme është një tjetër vlerë e shtuar që e bën peshkun një ndër pjatat më tunduese për të gjithë familjen.

Megjithëse recetat mund të jenë të shumëllojshme në varësi të traditave apo shijeve, për pastrimin ka vetëm disa metoda efikase.

Në këtë artikull AgroWeb.org ju shpjegon pikërisht mënyrën e saktë të pastrimit të peshkut, e sidomos peshqve të mëdhenj.

Si të pastroni dhe zgjidhni peshkun e freskët

Para se të nisni me pastrimin e peshkut, është e rëndësishme ta blini atë sa më të freskët.

Shikoni gjithnjë poshtë flegrave apo velëzave që ndodhen në pjesën e hapur pas kokës.

Nëse këto pjesë janë të kuqe atëherë peshku është i freskët.

Një tjetër mënyrë e kontrollit është të shikoni sytë dhe të ndjeni aromën.

Kur sytë janë të qartë dhe shndrijnë atëherë sërish peshku është i freskët dhe mund ta konsumoni pa problem.

Më pas mund të filloni lehtësisht me pastrimin perfekt të tij sipas këshillave të AgroWeb.org.

Pastroni krahët

Fillimisht pritini me një gërshërë kuzhine apo thikë krahët anësore të peshkut që ndodhen në të dy anët e tij.

Veproni njësoj edhe me pjesën e sipërme, në kurrizin e peshkut ku ndodhet edhe pjesa tjetër e luspave të dala dhe me gjemba.

Sipas dëshirës mund të prisni edhe pjesën e bishtit në fund pa i hequr tulin e bishtit.

Pastrimi i pjesës së brendshme

Më pas sërish duke përdorur gërshërët ose një thikë të mprehtë, çaheni me kujdes pjesën e barkut të peshkut dhe pastrojeni.

Nxirrni jashtë të gjithë pjesën e brendshme të barkut me duar duke bërë kujdes.

Kur të ndjeni që është tërësisht bosh dhe i pastruar, shpëlajeni me ujë të bollshëm nga brenda pjesës që pastruat dhe jashtë.

Heqja e luspave

Zgjidhni një thikë të mprehtë dhe duke bërë kujdes filloni të pastroni luspat duke nisur nga bishti i peshkut drejt kokës.

Mbështesni pjesën e mprehtë të thikës tek peshku dhe rrëshqiteni nëpër luspa në mënyrë që ato të largohen plotësisht.

Bëjeni këtë proces disa herë nëse është e nevojshme në mënyrë që peshku juaj të jetë tërësisht i pastër.

AgroWeb.org ju këshillon që këtë proces ta kryeni afër lavamanit apo brenda ndonjë qeseje të madhe.

Kjo pasi luspat mund të shpërndahen nëpër kuzhinën tuaj gjatë proçesit të pastrimit.

Pasi të ndjeni me duar se peshku është pastruar tërësisht lajeni atë sërish me ujë të freskët e të bollshëm.

Këtë metodë mund ta bëni me të gjithë llojet e peshqve dhe më pas janë gati për të vazhduar me përgatitjen e recetave që dëshironi.

AgroWeb.org ju këshillon të provoni një recetë të mrekullueshme të përgatitjes së peshkut në tavë që mund ta gjeni duke klikuar këtu./AgroWeb.org