Është një recetë fantastike me shije dhe aromë të mrekullueshme që shoqëron në mënyrë të shkëlqyer çdo gatim në tryezë.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë mënyrën speciale se si të përgatisni patate të pjekura me erëza, lëng limoni dhe hudhra.

 Përgatitja e Patateve të Pjekura me Limon e Hudhra

 Përbërësit

 (Sasia e përbërësve përzgjidhet bazuar në numrin e personave për të cilët do gatuani. Më poshtë përbërësit pë 4-5 persona)

 1.5 kg patate mesatare

3 lugë gjelle vaj ulliri

2 lugë gjelle gjalpë i freskët

3-4 thelpinj hudhrash të shtypura

Dy lugë gjelle lëng limoni

Kripë

Majdanoz

Piper i Zi

Përgatitja

 Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të parangrohni furrën e sobës në temperaturë maksimale.

Më pas nisni me përgatitjen e recetës.

Qeroni me kujdes patatet duke ruajtur formën e tyre të rrumbullakët.

Përmes një thike të mprehtë prijini patatet në feta por jo mes për mes apo deri në fund.

Prerjet bëjini feta-feta duke mos prishur formën e saj si kokërr (Si në foto) dhe hidhuni kripë.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon që në një tas të hidhni vajin e ullirit dhe shtoni lëngun e limonit, gjalpin e shkrirë në temperaturë ambjenti, hudhrat e shtypura si dhe erëzat.

Përzjeini mirë të gjitha bashkë derisa masa të bëhet e njëtrajtshme.

Vendosini patatet e prera në një tavë dhe përmes një furçe kuzhine lyejini të gjitha patatet me masën e vajit të ullirit të ullirit, limonit dhe erëzave.

Kujdesuni të lyeni edhe pjesët në brendësi të fetave të patateve.

Ndërkohë, ruani mënjanë një pjesë nga masa me vaj ulliri e erëza për ta përdorur edhe njëherë tjetër gjatë pjekjes.

Futeni tavën me patate të piqet në furrë përreth 1 orë.

Pas 30 minutave nxirrini dhe përdorni pjesën tjetër të mbetur të masës me vaj ulliri dhe erëza, lyeni patatet sërish dhe futini të piqen edhe për 30 minuta të tjera.

Shërbehen të ngrohta dhe janë shoqëruese fantastike të supave dhe gjellrave të ndryshme ashtu si edhe mishrave apo qofteve të shtëpisë etj shoqëruar me sallata të freskëta. /AgroWeb.org