Patëllxhani është një perime që bie gjithmonë në sy në stendat e fruta perimeve në kryeqytet dhe përtej tij.

Përdorimi i tij mbetet pjesë e traditës orientale të gatimit me shembullin më të mirë atë të tavës ‘imam bajalldi’, por edhe format e reja të gatimit si pjesë e turlive me zarzavate të ziera janë tradicionale për shqiptarët.

Më poshtë AgroWeb.org u sugjeron një recetë fantastike, atë të puresë me patëllxhanë, e cila përgatitet krejt lehtë dhe është e mrekullueshme në shije e në shoqërimin e vakteve të drekës apo darkës.

Për 4-5 persona nevojiten

1 kg patëllxhanë

4-5 lugë gjelle vaj ulliri

1 hudhër mesatare

Spec djegës

Kripë

Piper

Majdanoz i freskët i grirë hollë

Përgatitja

AgroWeb.org ju këshillon që për këtë gatim zgjidhet patëllxhanë me tul dhe pa fara.

Patëllxhanët vendosen të piqen në furrë me gjithë lëkurë, ose me pak vaj ulliri në tenxhere me presion.

Nëse vendosni t’i piqni të paprera duhet t’i lini përreth 1 orë në furrë të para ngrohur me 200 gradë celsius.

Për të parë nëse janë pjekur sa duhet mund t’i shpojmë me një pirun, nëse arrin që piruni të depërtojë lehtësisht patëllxhanët janë gati.

U qërohet cipa dhe grijmë hollë në një dërrasë druri. Në një pjatë të thellë vendosim disa letra kuzhine dhe aty lëmë patëllxhanët e prerë, në mënyrë që t’u largohet lagështira e tepërt.

Më pas i vendosim patëllxhanët e grirë në një tas, u shtojmë hudhra të shtypura, kripë dhe piper sipas dëshirës, vaj ulliri dhe pak spec djegës.

Nëse preferoni që kjo pure të ketë një përmbajtje kremoze atëherë shtojini të gjithë përbërësit në mikser duke hedhur gradualisht vajin e ullirit.

Masa përzihet lehtë me një lugë druri, në mënyrë që të mos prishet forma kubike e copave të patëllxhanit. Tasin me purenë e patëllxhanëve vendoseni për disa minuta në frigorifer të pushojë.

Për t’i shtuar akoma dhe më shumë shijen kësaj recete, AgroWeb.org ju sugjeron që t’i shtoni dhe pak majdanoz të grirë hollë.

Kjo pure shërbehet e spërkatur me vaj ulliri dhe shoqërohet në mënyrë të përkryer me bukë të thekur. /AgroWeb.org