Në zonën e Alpeve, kultivohet për më se 70-80 vjet, një varietet i patëllxhanit.

Kjo bimë i përket species Solanum melongena L por nga qytetarët e zones njihet si “Patëllxhani i Oblikës”, duke enë se gjendet në Oblikë të Shkodrës.

Fara e kësaj perimeje është mbajtur dhe ruajtur brez pas brezi.

Aktualisht zë rreth 10-15 % të sipërfaqes së patëllxhanit që mbillet në zonë, duke qenë kështu kultivar autokton i rrallë.

Kushtet e kultivimit:

Mbillet në ngastra tarrace të sheshta, me ekspozicion nga dielli, toka të thella e të pasura dhe me mundësi ujitjeje.

Farat e patëllxhanit në zonën e Alpeve mbillen në farishte në gjysmën e dytë të shkurtit dhe fidanët në fushë mbillen në 1-15 maj.

Vjelja e prodhimit fillon në fund të qershorit – fillim të korrikut dhe vazhdon deri në ngricat e para të vjeshtës.

Përshkrimi:

Bimë me kërcell shumë të degëzuar, tip kaçube, me ndërnyje të shkurtra.

Prodhon 7-10 fruta për bimë; me formë të rrumbullakët dhe maj të fryrë e të rrumbullakosur, me peshë mesatare 150 – 200 g; në fazën e pjekjes teknike kanë ngjyrë violet, kurse në pjekjen botanike marrin ngjyrë banane; tuli ngjyrë e bardhë.

Veçantitë:

Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve, temperaturave të ulëta dhe të larta.

Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm.

Preferohet për konsum të freskët, gatime dhe përpunim në formë turshie për konsum në familje dhe për tregun lokal./AgroWeb.org