Byreku i shtëpisë është padyshim më i preferuari i gjithëve.

Pavarësisht se me çfarë kombinohet, me  gjizë a djathë, spinaq a hidhra, presh a qepë dhe domate etj, ky gatim mbetet ndër më tipikët e më autentikët e gatimeve shqiptare.

Por ndonjëherë, amvisat hasin vështirësi në përgatitjen e tij në lidhje me vajin e tepërt të thith teksa shtrojnë petët me rradhë.

Më poshtë, AgroWeb.org ju sjell një metodë fantastike të përgatitijes së byrekut pa thithur aspak vaj.

Mund ta përgatisni me çfarë do lloj mbushje që dëshironi dhe rezultati do të dalë i njëjtë, një byrek me shije të përkryer dhe njëkohësisht i butë.

Këtë metodë mund ta përdorni kur përgatisni byrek me petë të bëra vetë por edhe petë të gatshme.

Qumësht me Vaj Ulliri

Ka një sekret në përgatitjen e byrekut për të mos thithur shumë vaj. Është lyerja e çdo pete me qumësht dhe vaj ulliri.

Mjafton të hidhni qumësht në një tas dhe dy lugë me vaj ulliri dhe t’i përzieni bashkë.

Më pas, secilën petë që shtroni në tepsi lyejeni me qumështin dhe vajin e ullirit përmes furçës së kuzhinës.

Shtroni katër apo pesë petë si fillim dhe lyejeni secilën me masën e qumështit me vaj ulliri.

Më pas, hidhni gjysmën e mbushjes me të cilin do përgatisni byrekun dhe vijoni me shtrimin e 3 apo 4 petëve të tjera duke i lyer sërish të gjitha me qumësht dhe vaj ulliri.

Shtoni pjesën tjetër të mbushjes dhe vijoni kështu deri në petën e fundit.

Nëse preferoni mbushjen e byrekut mund ta ndani në tre pjesë.

Në fund, lyeni anët e byrekut me pak qumësht dhe vaj ulliri ashtu si edhe sipërfaqen dhe kthejini anët duke i mbyllur me njëra-tjetrën dhe futeni në furrë të piqet.

Edhe në fund kur piqet para se të fikni furrën lyejeni sipërfaqen e byrekut me pak qumësht dhe vaj ulliri përmes furçës së kuzhinës, kështu ai do të mbetet i butë.

Lëreni të ftohet në furrë në mënyrë që të kullojë, e më pas priteni për ta servirur./AgroWeb.org