Arti i gatimit siç thotë edhe emri, është një proces sa delikat aq edhe i kënaqshëm për shumë persona.

Përtej kësaj edhe procesi i shijimit ë pjatave të ndryshme është një art më vete shumë i domosdoshëm.

Gjithsesi jo gjithnjë ushqimet e gatuara sado të mrekullueshme e të shijshme të jenë arrijnë të konsumohen në kohë.

Me siguri ju që gatuani çdo ditë e keni fare mirë parasysh frigoriferin e mbushur me pjata apo enë hermetike ku keni vendosur gjellët e një dite më parë.

Nuk është çudi që gatimet e mbetura të shijojnë njëjtë edhe një ose dy ditë pasi i keni gatuar.

Megjithatë kjo nuk ndodh gjithnjë me të gjitha ushqimet.

Ndonjëherë shija dhe aroma e tyre mund t’ju gënjejë dhe të shkaktojë efekte anësore në organizëm, pikërisht sepse janë të ndenjura.

Ekspertët thonë se ka një periudhë kohore të caktuar për ushqimet që të qëndrojnë të mbyllura, qoftë edhe hermetikisht në frigorifer.

Në këtë artikull AgroWeb.org ju shpjegon se deri kur janë të sigurta të konsumohen ushqimet apo gjellët e mbetura në frigoriferin tuaj.

Për Sa Kohë Duhen Ruajtur

Ushqimet e ndenjura mund të jenë të rrezikshme për trupin pasi shkaktojnë një sërë sëmundjesh anësore.

Duke filluar që nga helmimi, diarre apo dhimbjet e stomakut.

Për të evituar të gjithë këto efekte aspak të këndshme, AgroWeb.org ju këshillon të jini të kujdesshëm me ushqimet tuaja.

Ekspertët e sigurisë ushqimore rekomandojnë disa mënyra se si mund t’i mbani të sigurta gjellët e mbetura në frigoriferin tuaj.

Fillimisht sigurohuni të mos i mbushni shumë enët hermetike apo pjatat që do të përdorni për konservimin.

Në këtë mënyrë nuk do të formohen baktere shumë në gjellët apo gatimet e ndryshme që keni përgatitur.

Vendosini gjellët për t’i ruajtur në frigorifer jo më shumë se dy orë pasi t’i keni gatuar ato.

Ruajini në tasa apo enë hermetike të mbyllura jo më shumë se 4 ditë.

Kini parasysh që temperatura e frigoriferit duhet të jetë gjithnjë sa më e freskët, për të mbajtur lag formimin e baktereve në këto ushqime.

Rekomandohet temperature 4 gradë ose konservimi në ngrirje në enë hermetike.

Jo Të Gjithë Ushqimet Konservohen

Nëse do të konservoni mish, kujdesuni ta prisni atë në copëza apo në fije të holla.

E më pas ta ruani në tasa apo enë hermetike.

Për ushqimet e lëngshme si supa apo gjellët e ndryshme pasi t’i keni vendosur në enë hermetike mund t’i konsumoni deri në dy ditë.

Sallatat me vaj uthull apo limon brenda, është mirë që të mos konsumohen më pasi kanë kaluar 4 orë.

Pasi shija jo vetëm do të ndryshojë, por ka rrezik që të shtohen bakteret.

Ndërsa për ëmbëlsirat nëse përmbajnë qumësht dhe vezë kujdesuni t’i vendosni në frigorifer jo më shumë se dy orë pasi t’i keni nxjerrë nga furra.

Mos i konsumoni pasi të kenë kaluar katër ditë pasi veza dhe qumështi mund të jenë prishur.

Gjithsesi për të parandaluar tërësisht rrezikun ekspertët thonë se nuk duhet t’i ruani dhe konsumoni ushqimet pasi kanë kaluar 4 ditë nga periudha e gatimit./AgroWeb.org