Në ka një shije që të përfshin tërësisht sidomos në këto ditë të ftohta ajo është shija e recetës me petanik me fasule.

Një recetë, nga më të mirat e duarve të gjysheve dhe nënave. Si dhe një gatim ndër më të vjetrit e kuzhinës shqiptare.

Petaniku është traditë kryesisht e jugut të Shqipërisë, konkretisht zonës së Korçës, por sot ai gatuhet gjerësisht edhe nga amvisat në të gjitha zonat e vendit.

Petaniku kërkon pak mund dhe durim në përgatitje, shumë pak përbërës por shija që të ofron është marramendëse.

Ai mund të shoqërohet mjaft mirë me sallata turshie të ndryshme, sallata të stinës të lehta, salcë kosi apo djathë etj.

Më poshtë AgroWeb.org i’u përcjell recetën tradicionale të përgatitjes së petanikut me fasule dhe peta të pjekura.

Si ta Përgatisim krejt Lehtë në Shtëpi

Përbërësit

300 gr fasule fasule

Një kokërr qepë

500 gr miell

250 ml ujë i vakur

vaj ulliri

kripë

rigon

Përgatitja e Brumit

Në një tepsi hedhim miellin. Hapim një gropë në mes dhe një lugë kripë ndërsa nisim të shtojmë ujin e vakur duke e punuar brumin me dorë.

E punojmë me duar derisa të krijohet një masë kompakte në formën e brumit për byrek.

Brumin e ndajmë në 15 kuleçë të vegjël dhe secilin prej kuleçëve e hapim në petë të mëdha.

Secilën prej petëve e shtrojmë në një tepsi dhe e fusim për pjekje në furrë por pa i lënë të thahen.

Duhet të kujdesemi që petët të mbeten të buta dhe të palosen lehtë. Kështu veprojmë me të gjitha petët.

Përgatitja e Fasuleve

Për t’i përgatitur më lehtë, një natë më parë fasulet i fusim në një enë me ujë.

Të nesërmen i zjejmë, me qepën, kripë, vaj ulliri dhe pak rigon.

Kur do të përdoren për mbushjen ato duhet të jenë të ftohta.

Përgatitja e Petanikut

Përmes një furçe kuzhine lyejmë tepsinë me vaj ulliri.

Shtrojmë petën e parë dhe e spërkasim me disa pika vaj ulliri.

Më poshtë, shtrojmë petën e dytë e spërkasim gjithashtu me pak vaj ulliri.

Vijojmë edhe me të tretën e më pas hedhim pak nga mbushja me fasule duke e shtrirë në të gjithë sipërfaqen e petës.

Vijojmë sërish me shtrimin e dy petëve duke i spërkatur me pak vaj ulliri e më pas hedhim pak nga mbushja me fasule.

Petët e pjekura kur i shtrojmë i spërkasim edhe pak nga lëngu i fasuleve.

Vijojmë me rradhë deri në fund ku petanikun e mbulojmë me dy petat e fundit dhe përkasim me vaj ulliri si dhe me lëngun e fasuleve.

E fusim në furrë të ngrohur më parë në temperaturë 200 gradë dhe e lëmë të piqet derisa të marrë ngjyrë të kuqërremtë të hapur nga të dyja anët./AgroWeb.org