Mbërritja e muajit të festave shoqërohet gjithnjë me ëmbëlsira.

Për fat të mirë, recetat e ëmbëlsirave janë të larmishme, interesante e tepër të shijshme, nga ato që të ngopin jo vetëm syrin por edhe shqisat.

Në AgroWeb.org keni lexuar mjaft receta interesante ëmbëlsirash, por në këtë artikull do të mësoni se si të përgatisni lehtë në shtëpi petulla të ëmbla me sherbet.

Përbërësit:

200 gramë miell të bardhë

Gjysëm luge çaji me sodë buke ose pluhur pjekës

2 vezë

2-3 lugë gjelle ujë

Për shërbetin

2 gota me ujë (500 ml)

1 filxhan e gjysëm çaji me sheqer

1 lugë gjelle me lëng limoni

Përgatitja:

Ndizeni furrën në 180 gradë.

Për përgatitjen e shërbetit, përzieni dy gotat me ujë dhe sheqerin dhe hidhini në një tenxhere,

Vëreni atë në zjarr dhe kur të marrë valë shtoni lëngun e limonit.

Në një enë tjetër shtoni mielli, pluhurin pjekës, vezët dhe vajin.

Përziejini mirë deri sa të përfitoni një masë të ngjitshme.

Lyejeni tepsinë me vaj dhe ndajeni brumin në 18 copa të vogla

Përpunojini me dorë duke u dhënë formë rrumbullake dhe vendosini një e nga një në tepsi.

Futeni atë në furrë dhe piqini për 20 minuta.

Kur topthat e vegjël janë pjekur, nxirrini nga furra dhe lërini të ftohen pak.

Më pas vendoseni tenxheren e shërbetit në zjarr dhe kur të ketë marrë valë, hidhini petullat një e nga një.

Lërini të valojnë në shërbet deri sa të zbuten.

Kjo do të kërkojë 10 deri në 15 minuta.

Më pas hiqini topthat e ëmbla nga shërbeti, vendosini në një pjatancë, lërini të ftohen dhe më pas servirini.

Këto ëmbëlsira serviren të ftohta.

Ju mund t’i shoqëroni ato me akullore ose krem pastiçerie.

Për një servirje më interesante, ju mund të shtoni edhe një lugë shtesë me lëng limoni gjatë përthithjes së shërbetit që ëmbëlsirat të kristalizohen.

Nëse ju dëshironi t’i ruani këto ëmbëlsira për një kohë më të gjatë, mund ta bëni pas pjekjes dhe kur të jeni gati për t’i servirur t’i fusni në shërbet dhe nëse dëshironi spërkatini me arra të thërrmuara./AgroWeb.org