Petullat e Fshira janë ndër gatimet më speciale të kuzhinës tradicionale shqiptare, ku në përgatitjen e tyre spikat zona e qarkut të Korçës.

Fantastike për t’u konsumuar në çdo kohë të ditës dhe aq të shijshme sa për të lëpirë gishtat, sot Petullat e Fshira janë shndërruar në një nga gatimet më të kërkuara në restorantet tradicionale shqiptarë.

Të lehta për t’u përgatitur dhe fantastike për t’u servirur për familjen në mëngjes por ato mund të konsumohen në çdo kohë të ditës.

Të kombinuara me djathë e hudhra, shija e kësaj recete të përfshin tërësisht ndërsa të kënaq nepsin dhe oreksin.

Më poshtë AgroWeb.org u sugjeron recetën tradicionale të përgatitjes së petullave në shtëpi.

Përgatitja e Petullave të Fshira në Shtëpi

Përbërësit

0.5 kg miell

1 gotë me qumësht

1 vezë

pak kripë

100 gr gjalpë

½ liter ujë

2-3 thelpinj hudhrash

Djathë

Përgatitja

Në 0.5 kg miell hidhet 1 gotë me qumësht dhe 1 kokërr vezë, të cilat përzihen me pak kripë dhe ujë dhe përgatitet një brumë shumë i rrjedhshëm.

Në tiganin e vendosur në zjarr, pasi ai është nxehur dhe lyer me vaj me një beze të pastër, hidhet me garuzhde një sasi brumi duke e përhapur në të gjithë sipërfaqen e tiganit.

Tigani rrotullohet në të gjitha anët dhe masa lihet të piqet.

Në momentin kur petulla shkëputet lehtë nga tigani , kthehet nga ana tjetër. Kështu veprohet me të gjithë brumin e përgatitur.

Në një tigan skuqet 100 gr gjalpë së bashku me një kokërr hudhër të prerë në copa shumë të vogla.

Hidhet pak kripë dhe gjysmë litër ujë. Pasi të ziejë pak uji, hiqet tigani nga zjarri dhe në të futen petullat një e nga një duke i lagur plotësisht.

Petullat e lagura vendosen njëra mbi tjetrën të ndara me djathë të grirë.

Pasi është radhitur sasia e petullave që dëshirojmë, u hidhet djathë sipër dhe futen për 5 minuta në furrë./AgroWeb.org