Nëse ka një kërkesë drejt nënave apo gjysheve për të gatuar diçka të mirë e të shijshme, padyshim në krye të listës së gatimeve shqiptare janë petullat.

Vështirë t’u rezistosh! Të ngrohta, me pak mjaltë, sheqer pluhur a kanellë, reçel apo djathë. Por edhe pa i shoqëruar fare, me asgjë, shija e tyre e plotë të përfshin tërësisht.

Fantastike për mëngjes dhe shoqëruese të këndshme për drekë, petullat mbeten një nga gatimet speciale jo vetëm për familjen  por edhe miqtë e të afërmit.

AgroWeb.org sugjeron më poshtë një recetë të lehtë dhe të shpejtë për përgatitjen e petullave të zonës së Lumës në shtëpi. Një mënyrë fantastike për t’i shijuar me familjen a me miqtë.

Quhen kështu pasi janë specialitet i qytezës së vogël të Kukësit.

Dikur gjyshet i gatuanin ato mëngjeseve dhe i shërbenin të ngrohta për nipërit e mbesat teksa gjithë shtëpia kënaqej me shijen e tyre të mrekullueshme.

Receta e Shijshme e Përgatitjes së Petullave të Lumës

1 gotë uji me miell gruri

Ujë i vakët

Vaj

Pak kripë

Sheqer sipas dëshirës

Përgatitja 

Në një tas të madh hedhim vmiellin e situr, kripën dhe ujin e vakët.

Vijojmë t’i rrahim fortë derisa masa e brumit të jetë e njëtrajtshme.

AgroWeb.org ju këshillon që trashësia e brumit të jetë si ajo e kosit të rrahur dhe elastik.

Hedhim vajin në një tigan, të cilin e vendosim në zjarr.

Kur vaji të jetë nxehur nisim të skuqim petullat.

Mund të përdorim një lugë për ndarjen e brumit për çdo petull.

Duhet të kujdesemi që largësia nga njëra tjetra duhet të jetë deri në 3 apo 4 cm sepse gjatë skuqjes brumi hapet.

Petullat skuqen nga njëra anë dhe pastaj kthehen nga ana tjetër.

Pasi të jenë skuqur mirë vendosen në pjatë dhe spërkaten me sheqer pluhur./AgroWeb.org