Petullat janë një traditë e vjetër që shoqëron mëngjeset e shumë shqiptarëve ndër shekuj.

Të kripura apo të ëmbla petullat mund t’i përgatisë secili në shtëpi.

Më shumë pak përbërës dhe në shumë pak kohë do të keni në tryezë një pjatë të mrekullueshme.

Në recetën e sotme AgroWeb.org ju sugjeron petullat me arra dhe sheqer pasi kanë një shije shumë të veçantë.

Më poshtë gjeni hap pas hapi të shpjeguar mënyrën e përgatitjes së tyre.

Përbërësit

300 gr miell

150 ml qumësht

130 gr sheqer

3 vezë

80 gr arra

1 pako pluhur për ëmbëlsira

Mjaltë

vaj për skuqje

Përgatitja

Për të nisur këtë recetë AgroWeb.org ju këshillon të filloni duke hedhur vezët bashkë me 100 gr sheqer në një tas të thellë dhe përziejeni me një rrahës elektrik.

Bëjeni këtë derisa sheqeri të shkrijë plotësisht.

Kur të jetë formuar shkumë sipër enës tuaj, shtoni qumështin dhe vazhdoni me përzierjen.

Shtoni edhe miellin me pluhurin e ëmbëlsirave tek ena duke e përzier me kujdes që të mos krijohen kokrra.

Kur brumi juaj të jetë i trashë dhe kompakt, shtoni copat e arrave të thërrmuara.

Pasi t’i keni përzier mirë të gjithë përbërësit lërini të pushojnë për 15 minuta, duke e mbuluar enën me letër plastike.

Ndërkohë zgjidhni një tigan të thellë për skuqjen, mbusheni me vaj deri në gjysmë dhe lëreni në zjarr të lartë derisa vaji të jetë i nxehtë.

Kur të kenë kaluar 15 minutat, merrni  brumin dhe me anë të një luge hidhni tek vaji forma të vogla rrethore.

Lërini të skuqen derisa petullat të jenë fryrë plotësisht dhe të kenë marrë ngjyrë të artë.

Në anë të sobës përgatisni në pjatë të thellë të mbuluar me letër në mënyrë që të vini petullat sapo ato të skuqen.

Pasi të keni mbaruar dhe letra ka thithur të gjithë vajin, vendosini në një enë tjetër dhe spërkatini me pjesën e mbetur të sheqerit.

Sipas dëshirës ju mund të përdorni edhe pak mjaltë dhe arra për spërkatjen e tyre./AgroWeb.org