Pispilia është një nga recetat më të dashura të kuzhinës shqiptare.

AgroWeb.org ka sjellë mënyra të ndryshme të kombinimit të saj me të gjelbrat e freskëta të stinës.

Zakonisht këtë recetë e përgatisin me kos, duke qenë se ai i jep një shije perfekte të athët, por këtë herë po ju sugjerojmë ta provoni me qumësht.

Qumështi arrin t’i japi një butësi marramendëse ndërsa salca e kosit luan rolin kryesor në shijen e veçantë të kësaj recete.

 Përbërësit

130g miell misri i imët ose polenta

130g miell

1 lugë e gjysmë çaji me kripë

1 lugë çaji me sodë buke

1 lugë gjelle me fryrës brumi

120g gjalpë i zbutur në temperaturë ambienti

3-4 lugë gjelle me salcë kosi

2 vezë

1 gotë e gjysmë me qumësht

2 gota uji me presh të prerë në rrota

3-4 lugë gjelle me djathë të bardhë të thërrmuar .

Përgatitja

AgroWeb.org ju këshillon që si fillim të ngrohni furrën në 200 gradë.

Merrni një tavë dhe lyejeni mirë me vaj ulliri ose gjalpë të zbutur.

Pasi ta keni shpëlarë mirë preshin me ujë të bollshëm, pritini në rrathë sa më të hollë.

Merrni një tas të madh dhe hidhni aty miellin, polentën, kripë, dhe sodën e bukës dhe fryrësin e brumit.

Ndërsa në një tas më vete rrihni gjalpin me vezët dhe salcën e kosit.

Në fund shtoni edhe qumështin dhe përzjejini derisa masa të jetë shndërruar në një krem të plotë.

AgroWeb.org ju sugjeron që sasinë e miellit ta hidhni në tre pjesë tek vezët, qumështi dhe salca e kosit.

Kjo do t’ju mundësojë që brumi të jetë sa më kremoz dhe të mos ketë kokrriza të patretura të miellit.

Më pas shtoni edhe preshin e prerë në feta dhe djathin, sigurohuni që ta përzjejeni sa brumi të jetë i njëtrajtshëm.

Kalojeni tek tava e lyer me gjalpë dhe futeni në furrë për t’u pjekur për 35 minuta ose derisa sipërfaqja e pispilisë të ketë marrë ngjyrë të artë.

Nëse nuk jeni të sigurt që pjekja ka përfunduar mjafton ta shponi pispilinë me një thikë dhe nëse sipërfaqja e saj del e pastër atëherë gjithçka është gati.

Pasi të jetë pjekur siç duhet lëreni të ftohet plotësisht dhe më pas priteni dhe shërbejeni.

Brumi i pispilisë do të jetë i butë sa ai i kekut, dhe shija e aroma do të jetë mahnitëse.

Kjo recetë ju jep një ndihmë me fëmijët, duke i bërë ata që të pëlqejnë dhe të hanë perimet e shëndetshme në një mënyrë tjetër.

Mund të shoqërohet me kos, dhallë, sallata ose supa me perimet e stinës. /AgroWeb.org