Pitet e përgatitura nga nënat shqiptare janë padyshim gatimi më i preferuar i të vegjëlve ashtu si edhe të rriturve.

Të mbushura me gjizë a me djathë, me qepë e domate, me mish grirë a me spinaq pitet ofrojnë një shije fantastike që të përfshin tërësisht duke të ndjellë për t’i konsumuar sa më parë.

Ideale për t’i konsumuar në mëngjes por edhe në çdo moment të ditës, ashtu si edhe për t’ua dhënë fëmijëve me vete në shkollë apo për t’i marrë edhe vetë gjatë pushimit të punës.

Pitet janë ndër gatimet më speciale që kuzhina shqiptare ofron.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën tipike të amvisave shqiptare për përgatitjen e piteve në shtëpi, një mënyrë fantastike për të kënaqur gjithë familjen.

Përgatitja e Piteve të Shtëpisë

Përbërësit

½ kg miell

200 gr kos

Gjysmë luge kafeje me sodë buke

Kripë

Gjizë e freskët

Përgatitja

Në një tas të madh hidhni miellin dhe hapni një gropë në mes. Shtoni aty kosin, hidhni kripën si dhe sodën dhe përzjejini mirë me duar derisa masa të bëhet e njëtrajtshme.

Sipas preferencës mund të shtoni edhe një kokërr vezë gjatë punimit të brumit me dorë.

Kur brumi është shndërruar në një masë kompakte por jo të thatë, mbulojeni me një pecetë kuzhine. Lëreni që të pushojë për një orë në një ambjent disi të ngrohtë.

Më pas, ndajeni brumin në toptha të vegjël. Në tavolinën e punës në kuzhinë nisni t’i hapni ato përmes një petësi në formë të rrumbullakët në madhësinë që dëshironi.

Pasi e keni shtruar petën, shtoni brenda mbushjen me gjizë.

Nëse dëshironi, për më shumë shije bashkë me gjizën mund të shtoni pak rigon dhe arra të shtypura.

Pasi keni shtuar mbushjen, paloseni piten dhe bashkoni mirë të dyja anët e pites në mënyrë që të mos dalë mbushja gjatë skuqjes.

Më pas skuqini në një tigan me pak vaj (për një gatim më të shëndetshëm AgroWeb.org u sugjeron të përdorni vaj ulliri)./AgroWeb.org