Mielli është një produkt në dukje jetëgjatë.

Megjithatë, nëse nuk i krijohen kushtet e duhura, mielli mund të prishet. Majde edhe të kthehet në burim sëmundjesh që transmetohen nëpërmjet ushqimit.

Mënyra më e mirë për parandalimin e prishjes së miellit është që ta ruani në një vend të pastër dhe të sigurt.

Përcaktimi i cilësisë së miellit është shumë i lehtë, madje një amvisë mund ta bëjë këtë direkt.

Kur mielli prishet ai lëshon një aromë karakteristike, të pakëndshme e të padurueshme.

Aroma lëshohet kur vajrat esencialë të drithit degradojnë me kalimin e kohës.

Një arsye tjetër e rëndësishme që shkakton humbjen e cilësisë së miellit është prania e mizave, fluturave dhe insekteve.

Ato mund të lëshojnë me mijëra vezë në shtresat e bardha të miellit.

Një prej këshillave më të mira të amvisave shqiptare është që mielli të mbahet në ngrirje për 48 orë për të eliminuar insektet e dëmshme.

Nëse ze miza, hidheni miellin në kosh dhe blini një tjetër.

Megjithatë, pasi ta keni bërë këtë, AgroWeb.org këshillon të sigurohuni që të pastroni dhe disinfektoni dollapët e kuzhinës ku ruani ushqimet.

Gjasat janë të larta që këto insekte të kenë lëshuar vezë edhe në ushqime të tjera.

Si Ta Mbani Miellin Të Sigurtë Në Kuzhinë

Mënyra më e mirë për ruajtjen e miellit është që ta mbani brenda një qese të cilën duhet ta vendosni brenda një ene (kavanozi) të mbyllur fort.

Ambienti ku do ta mbani enën duhet të jetë i freskët dhe i thatë.

Më parë amvisat e ruanin miellin në thasë apo këllëfë bezeje apo nape dhe e linin në një vend të thatë pa lagështirë.

Kini parasysh që mielli përthith shumë lehtë aromat dhe substancat e tjera kimike që lëshohen në ajër.

Kjo e bën mëse të nevojshme paketimin gjithëpërfshirës të miellit jo vetëm në qese por edhe enë qelqi.

Mielli mund të jetojë më gjatë për muaj të tërë, nëse e ruani në frigorifer ose në ngrirje.

Kjo teknikë rekomandohet për miellin e drithit të plotë, ndërsa jetëgjatësia e miellit të bardhë është e gjitha në varësi të thatësisë së vendit ku e ruani./AgroWeb.org