Diskutimi mbi ushqimin bio po fiton rëndësi të veçantë në shoqërinë tonë.

Rritja e informacionit ka ndikuar pozitivisht në ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi krijimin e zakoneve të shëndetshme të të ushqyerit.

Ndjekja e një mënyre ushqimore të shëndetshme, të bazuar në produkte ushqimore biologjike është e lidhur në mënyrë të drejtëpërdrejtë me rritjen e cilësisë së jetës, të gjithsecilit prej nesh.

Po çfarë është ushqimi bio?

Shumë prej nesh mendojnë së produktet bio janë thjesht produkte natyrale, të rritura në ferma dhe pa ndërhyrje kimike.

Kjo është vetëm një pjesë e së vërtetës. Që të quhet bio, një produkt ushqimor duhet vërtetë të jetë rritur pa pesticide sintetike, pa hormone të rritjes artificiale, pa antibiotikë, pa plehra kimikë apo modifikues gjenetikë.

Por duhet gjithashtu të përpunohet dhe transportohet sipas rregullave e standardeve të lejuara dhe të mirëpërcaktuara nga organizmat përgjegjës.

Produkti bio është produkti natyror, që rritet sipas cikleve specifike natyrore, në një tokë të mirëtrajtuar bujqësore, pa kimikate, që dëmtojnë përbërjen e produktit, tokën, ambientin dhe sigurisht shëndetin tonë.

Vërtet të Sigurta?

Megjithatë, edhe pse produktet organike rriten në përputhje me standarde strikte, eleminimi i plotë i lëndëve të dëmshme është pothuajse i pamundur.

Produktet organike apo bio janë gjithsesi të ekspozuar në mënyrë indirekte ndaj kimikateve, nëpërmjet rreshjeve të shiut apo erës.

Thjesht përqindja e shfaqjes së gjurmëve të këtyre elementeve është shumë herë më e vogël, në krahasim me produktet e tjera, jo organike.

Analiza të ndryshme tregojnë se niveli i metaleve toksike në produktet bio është shumë herë më i ulët, në krahasim me produktet e tjera.

Kadmiumi, një prej tre ndotësve metalikë tepër të rrezikshëm, së bashku me plumbin dhe mërkurin, ishte në nivele 50 përqind më të ulëta në produktet organike, në krahasim me produktet e tjera jo organike.

Një studim i Environmental Health Perspective e lidh ekspozimin me kadmiumin dhe plumbin me humbjen e dëgjimit.

Sipas studimeve, koncentrati i nitrogjenit ishte shumë herë më i ulët në produktet organike, në dallim nga produktet e tjera, me shifra që shënonin 10 përqind koncentrat nitrogjeni, 3 përqind nitrate dhe 87 përqind nitrite.

Pra studimet e konsultuara nga AgroWeb.org sugjerojnë se thjesht duke konsumuar produkte organike, trupi i njeriut do të ketë mundësi të marrë ushqyesit e nevojshëm dhe të ulë ekspozimin ndaj lëndëve toksike.

Po Shqiptarët?

Nga ana tjetër konsumatorët shqiptarë ndjehen të përmbytur nga produkte të kultivuara me kimikate.

Numri i faktorëve kancerogjenë të njohur dhe atyre të dyshuar është duke u rritur edhe në Shqipëri.

Shumë ndotës të mjedisit janë lëndë kimikate sintetike, mbetje të proceseve industriale, plehrave kimike, pesticideve dhe kimikateve të tjera të përdorura në bujqësi.

Ekspozimi ndaj pesticideve mund të ulet duke zgjedhur ushqim organik, të rritur pa pesticide apo fertilizues kimikë.

Ekspozimi ndaj antibiotikëve, hormoneve të rritjes dhe lëndëve toksike mund të ulet duke konsumuar produkte që rriten me ushqim natyral.

Përdorimi i produkteve organike dhe bio duket se është zgjidhje e mirë. Por nga ana tjetër është zgjidhje mjaft e shtrenjtë dhe shumë e spekuluar.

Opinioni juaj si konsumatorë vlen. Mendoni se është zgjidhje përdorimi i produkteve BIO në një vend si Shqipëria?

Komentoni në AgroWeb.org