Kur mali Vesuv shpërtheu në vitin 79 pas lindjes së Krishtit, disa banorë të Pompeit në Itali, shpejtuan të strehoeshin në qemerët prej guri që ndodheshin në plazhet aty pranë.

Por ata nuk jetuan për shumë gjatë, pasi rrjedha e llavës ua mori jetën.

Megjithatë shkëmbinjtë e përfshirë nga llava mundën të ruanin dëshmitë e jetesës së njerëzve në to.

Sipas studimeve të fundit, kockat e tyre tregojnë historinë se si dieta mesdhetare ka ndryshuar me kalimin e kohës.

AgroWeb.org ju fton të mësoni më poshtë se çfarë zbulimesh bënë shkencëtarët vite më vonë në këto strehime të përkohshme.

Pse dieta mesdhetare nuk është e njëjtë si më parë?

Në një studim të botuar në revistën amerikane “Science Advances”, studiuesit shqyrtuan proteinat e kockave të 17 viktimave të vullkanit, për të përcaktuar burimet e ushqimit me të cilat njerëzit e Pompeit ushqeheshin.

Ne jemi ajo çfarë hamë dhe trupat tanë ndërtojnë material të ri duke përdorur proteinën që marrim nga ushqimi.

Dhe proteinat që gjenden në kocka e pasqyrojnë këtë gjë më së miri.

Në studimin e fundit, studiuesit krahasuan tiparet e përmbajtjes së proteinave të eshtrave me ato të peshqve, kafshëve tokësore dhe bimëve nga e njëjta periudhë kohore, për të përcaktuar se kush hante çfarë në atë periudhë.

Ata zbuluan se burrat hanin më shumë peshk dhe se gratë kishin tendencë të hanin më shumë produkte shtazore tokësore dhe fruta e perime.

Peshku ishte më i vështirë për t’u arritur dhe kështu ai kushtonte më shtrenjtë, thonë autorët.

Ata sugjerojnë gjithashtu se statusi i lartë shoqëror i burrave mund të shpjegohet edhe nga hendeku në regjimet e tyre ushqimore.

Për njeriun modern, gjetjet sugjerojnë se dieta mesdhetare, shpesh e shpallur si më e shëndetshmja, ka ndryshuar gjatë 2,000 viteve të fundit.

Banorët e zonës në kohën e shpërthimit të Vezuvit me siguri që konsumonin shumë më tepër peshk sesa përmban regjimi ynë ushqimor sot.

Ky studim, shkruajnë autorët, mund të lejojë krahasime të tjera të sakta midis dietave të kaluara me versionet e sotme dhe të na informojë se si ndryshimet në këto dieta ndikojnë në shëndetin e njeriut./AgroWeb.org