Ka njerëz që besojnë se të moshuarit mjaftohen me pak orë gjumë.

Në fakt, kjo është thjesht një legjendë urbane.

Të gjithë të rriturit kanë nevojë për të paktën 7 deri në 9 orë gjumë.

Ajo që ndodh me kalimin e moshës është se njeriu e ka më të vështirë të flejë siç duhet.

Por kjo nuk do të thotë se nevojat për gjumë ndryshojnë.

Një nga sfidat e plakjes së shëndetshme është garantimi i orëve të mjaftueshme për gjumë.

Si Ndryshon Gjumi Tek Të Moshuarit

Për arsye nga më të ndryshmet, të moshuarit kanë vështirësi në fjetje.

Atyre u nevojitet më shumë kohë t’i zërë gjumi, zgjohen tre deri në katër herë gjatë natës, urinojnë tepër, kanë tendencën të flenë herët në mbremje e të zgjohen po aq herët.

Përse Të Moshuarit Flenë Më Pak

Trupi ndryshon me plakjen dhe këto ndryshime prekin cilësinë dhe kohëzgjatjen e gjumit.

Në këtë të fundit mund të luajnë rol shumë faktorë.

Hormonet

Truri i të moshuarve prodhon më pak melatoninë, që është hormoni i gjumit ndërkohë që hormoni i rritjes sekretohet në nivele më të ulëta.

Ky hormon është arsyeja përse fëmijët flenë aq mirë.

Tek gratë mund të luajë rol edhe menopauza, simptomat e së cilës ndërhyjnë tek gjumi.

Sëmundjet Kronike

Sëmundjet dhe simptomat e tyre ndikojnë direkt tek gjumi.

Për shembull, artriti shkakton dhimbje që pengon ardhjen e gjumit.

Diabeti mund të nxisë nevojën për të urinuar më shpesh gjatë natës.

Sëmundjet e zemrës mund të shkaktojnë zgjim të menjëhershëm gjatë natës për shkak të vështirësisë në frymëmarrje.

Sëmundjet mendore që shoqërohen me ankth kanë tendencën që të ndërhyjnë tek cilësia e gjumit.

Ndryshimet në Stilin e Jetesës

Të moshuarit kryejnë më pak aktivitet fizik dhe qëndrojnë më pak në diell.

Drita e diellit është e nevojshme për prodhimin e melatoninës që rregullon ciklet e gjumit.

Të moshuarit duhet të kalojnë të paktën 2 orë ekspozimi në diell.

Konsumi i alkolit, kafeinës dhe cigares shkakton kaos në cilësinë e gjumit dhe nuk duhen konsumuar të paktën 3 orë përpara fjetjes.

Tek cilësia e gjumit ndërhyjnë edhe medikamentet siç janë ato të tensionit të gjakut, kundër depresionit, e të tjerë./AgroWeb.org