Sëmundja prej të cilës vuajnë më shumë shqiptarët është Hipertensioni, i njohur ndryshe si tensioni i lartë i gjakut.

Sipas të dhënave zyrtare të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, të cilave i referohet AgroWeb.org, tensioni i lartë i lartë i gjakut që futet tek sëmundjet kardiovaskulare bashkë me diabetin janë dy sëmundjet prej të cilave shqiptarët vuajnë më shumë.

Të Dhënat Alarmante dhe Faktorët

Referuar të njëjtave të dhënave, AgroWeb.org mësoi se në listën e barnave të rimbursueshme, hipertensioni është sëmundja që rimbursohet më shumë për shqiptarët.

Konkretisht, janë rreth 250 mijë pacientë që rimbursohen për barnat që marrin për tensionin e lartë, e më pas vjen sëmundja e diabetit me rreth 70 mijë persona që rezultojnë në listën e barnave të rimbursueshme për diabetin.

Por të dhëna të tjera, të cilat AgroWeb.org i ka siguruar nga OWD (Our World In Data), Institutit Kërkimor dhe Studimor mbi Të Dhënat Globale tregojnë shifra edhe më alarmante mbi të prekurit nga hipertensioni në Shqipëri.

Sipas raportit të OWD rezulton se, probabiliteti i ndarjes nga jeta e një shqiptari nga sëmundjet kardiovaskulare është dyfish më i lartë se mesatarja botërore e vdekjeve. Konkretisht, raporti thekson se për çdo 100 vdekje në Shqipëri, 58, pra më shumë se gjysma shkaktohen nga sëmundjet kardiovaskulare.

Të dhënat bëhen edhe më të frikshme kur nga studimi i parë demografik shëndetësor i kryer nga ISHP-ja evidentohet se 90% e meshkujve shqiptarë vuajnë nga hipertensioni pa e ditur. Kjo e fundit lidhet me mungesën e kujdesit shëndetësor dhe kontrrolleve tek mjeku.

Katër janë faktorët kryesorë që shkaktojnë hipertension, faktori genetik, ku kjo sëmundje mund të jetë e trashëgueshme, stresi dhe mbipesha, faktor që çojnë në probleme me zemrën dhe nxisin rritjen e nivelit të tensionit në gjak, si dhe mënyra e keqe e të ushqyerit, kjo është bazike për nivelin e tensionit në gjak.

Ushqimet Që E Rrisin Më Tepër – Kujdesi Që Duhet Të Tregoni

Tensioni i lartë trajtohet me medikamente, por së pari duhet të mësoni për ushqimet që e rrisin tensionin.

Nëse dëshironi të shmangni rritjen e tensionit të gjakut, atëherë duhet të jeni dorështrënguar me kripën, të kryeni më shumë aktivitet fizik dhe të ruani një formë të mirë trupore.

Ushqimet që rrisin tensionin

Mishi i kuq

Mishi i kuq është i shijshëm por përmban shumë kolesterol dhe dëmton zemrën dhe enët e gjakut.

Sipas të dhënave ku bazohet AgroWeb.org, një sasi prej 400 gramësh mish i gatuar përmban 254 miligramë kripë dhe 308 miligramë kolesterol.

Salcat e paketuara të domates

Salcat e domateve me paketime qelqi ose metalike rrisin tensionin e gjakut.

Një paketim me salcë domate përmban 654 miligramë kripë.

Turshitë e gatshme

Sipas të dhënave të cilave i referohet AgroWeb.org, një filxhan me lakër turshi jo të përgatitur vetë përmban 939 miligramë kripë.

Turshitë e tjera përveç lakrës, si domatet apo kastravecat janë të zhytura në lëng me kripë.

Njerëzit që vuajnë nga tensioni i lartë nuk duhet të hanë turshi të tilla.

Alkoli

Nëse e teproni me pirjen e alkolit atëherë ju do të rrisni tensionin e gjakut.

Ëmbëlsirat e paketuara

Ëmbëlsirat, biskotat me mbushje shumëngjyrëshe që shiten në paketime të bukura janë të mbushura me sheqerna, yndyrna të ngopura dhe kripëra.

Pijet energjike

Konsumi i pijeve energjike e rrit tensionin sistolik me 6.2 përqind dhe atë diastolik me 6.8 përqind.

Klikoni këtu për të mësuar mbi ushqimet që ulin tensionin e gjakut./AgroWeb.org

* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

Burimi: U.S. National Library of Medicine