Thërrime, Rroshnica apo Dromka. Pavarësisht emrit që ndryshon sipas krahinave të ndryshme, shija e kësaj recete tradicionale shqiptare është e papërshkrueshme.

Pula e mbushur me thërrime është përgatitur jetë e mot nga gratë e nënat shqiptare duke trashëguar këtë traditë brez pas brezi.

Kjo recetë fantastike, krahas shijes fantastike është ideale për t’u konsumuar për vaktin e drekës por edhe darkës.

Shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me bukë të thekur, sallata të ndryshme, të freskëta të stinës, perime të pjekura, ullinj, salcë kosi apo edhe turshi.

AgroWeb.org sugjeron më poshtë përgatitjen e pulës së mbushur me thërrime, një mënyrë fantastike për të kënaqur nepsin dhe oreksin e familjes dhe më të dashurve.

Përgatitja e Pulës së Mbushur me Thërrime dhe Hudhra

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

 1 pulë e freskët 1 kg

Kripë

Piper

Gjalpë i freskët (Për një gatim më të shëndetshëm, AgroËeb.org ju këshillon përdorimin e vajit të ullirit ekstra të virgjër)

Lëngu i një kokërre limoni

4-5 thelpinj hudhra

Për Thërrimet

Në një tas hidhni dhjetë lugë miell dhe pak kripë.

Rrihni tre të verdha vezësh dhe shtojini tek mielli.

Përzjeini miellin me vezët me duar duke e shkoqur me dy pëllëmbët e duarve.

Bëjeni këtë proces derisa i gjithë mielli të shndërrohen në kokërriza të vogla.

Më pas, vendosini thërrimet në një tavë që të pushojnë për 20 minuta.

Përgatitja

Si fillim AgroWeb.org ju sugjeron nisjen e përgatitjes së thërrimeve (si më sipër).

Pasi të jenë gati hidhini në një tas, hidhuni pak vaj ulliri, hudhrat e shtypura, nëse preferoni mund të shtoni edhe një grusht me arra të thërrmuara. Përzjeini të gjitha bashkë.

Ndërkohë, pastroni pulën me ujë të rrjedhshëm. Vendoseni të zjejë në një tenxhere me ujë me kripë e pak gjalpë të freskët.

Pasi mishi i pulës të ketë zjerë (por jo plotësisht, pasi do piqet edhe në furrë) dhe të jetë i butë largojeni nga tenxherja.

Pulën siç e keni të plotë vendoseni në një tavë ku më parë keni vendosur një letër pjekjeje.

Hidhni në tasin ku keni thërrimet dhe hudhrat një gotë nga lëngu i pulës dhe me të gjithë masën e përgatitur mbushni pulën.

Lyejeni pulën me pak gjalpë të freskët, hidhini sipër pak piper dhe pak nga lëngu që keni zjerë më parë, mbulojeni të gjithë pulën me letër pjekjeje dhe futeni të piqet në furrë të parangrohur në temperaturë maksimale për 30 minuta.

Më pas lëreni të ftohet pak dhe shërbejeni duke e spërkatur me pak lëng limoni./AgroWeb.org