Recetat me pulë janë të shumëllojshme dhe përsëri jemi në kërkim të shijeve të reja.

Pula me pilaf të zier apo në tavë apo pula me patate janë një ushqim tradicional tashmë dhe shija e tyre është e mrekullueshme.

Ky gatim shoqëron drekat dhe darkat e shumë familjeve në qëndër të tryezave të tyre, por edhe recetat e reja janë gjithnjë të mirëpritura.

Ndryshe nga zakonisht në këtë recetë AgroWeb.org ju sjell një shije më të veçantë dhe kreative të gatimit të pulës.

Gatimi i pulës me makarona të vogla në formë elbi është një risi që do t’ju mrekullojë për nga shija.

Më poshtë gjeni hap pas hapi të shpjeguar se si përgatitet kjo recetë.

Përbërësit për 3-4 persona

1.5 kg mish pule ose një pulë mesatare

2 lugë gjelle vaj ulliri

1 lugë çaji gjalpë

350 gr makarona të vogla elb

1 qepë mesatare e grirë

2 thelpinj hudhër

500 ml lëng pule

2 domate mesatare

piper i zi

kripë

majdanoz

Përgatitja

Për të nisur këtë recetë AgroWeb.org ju këshillon të filloni me përgatitjen dhe marinimin e pulës.

Ndani mishin e pulës në disa copa dhe kriposini mirë ato nga të gjitha anët.

Ndërkohë në një tigan të madh ngrohni vajin e ullirit dhe shkrini gjalpin në nxehtësi mesatare.

Kur të shikoni që vaji është nxehur, shtoni edhe copat e mishit të pulës të skuqen për 5 minuta ose derisa të shikoni që kanë marrë ngjyrë kafe nga njëra anë.

Më pas kthejini nga ana e brendshme e tyre dhe skuqini për 4 minuta të tjera, derisa të marrin ngjyrë.

Pasi të jenë gati vendosini copat e mishit të pulës në një pjatë dhe vazhdoni me përgatitjen e makaronave.

Në tiganin ku ishte pula shtoni makaronat e vogla dhe trazojini mirë, lërini të gatuhen derisa të fillojnë të zbuten.

Kur të shikoni që makaronat janë zbutur pak, shtoni qepën e grirë në kubikë të vegjël dhe lëreni në zjarr mesatar edhe për 2-3 minuta të tjera.

Pasi qepët të jenë zbutur, hidhni thelpinjtë e hudhrës së grirë dhe gatuajini për disa sekonda.

Në një ene veçmas prisni domatet në copa të vogla, shtoni lëngun e pulës bashkë me gjysmë luge çaji piper të zi dhe një lugë çaji kripë.

Vendoseni pulën sërisht në tiganin ku ndodhen makaronat dhe shtoni domatet me lëngun që përgatitët më sipër.

Rrisni pak nxehtësinë e zjarrit dhe lërini të gatuhen derisa të shikoni që përbërësit po vlojnë së bashku.

Ulni sërisht temperaturën e zjarrit në minimum dhe mbuloni tiganin me kapak derisa makaronat të kenë thithur plotësisht lëngun e pulës.

Kjo mund të zgjasë nga 10-12 minuta në mënyrë që edhe mishi i pulës të gatuhet deri në brendësi.

Më pas hiqeni nga zjarri, lëreni të ftohet për 5 minuta dhe mund t’a shërbeni duke i grirë pak majadanoz sipër./AgroWeb.org