Finoku dhe limoni janë dy përbërës të kuzhinës që përshtaten më së miri me mishin e pulës, sidomos atë të pjekur në furrë.

Finoku i sjell freski recetave tuaja dhe nëse e gatuani atëherë finoku bëhet i butë si mëndafsh dhe i ëmbël.

Ai përbën zgjedhjen perfekte për gatimet e ëmbla dhe pikante.

Finoku është plot me ushqyes siç janë kaliumi, kalciumi, hekuri, magnezi, fosfori, bakri, zinku, mangani, seleniumi, folati, acidi pantotenik, beta karoteni, luteina, vitaminat A, B6 dhe K.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni një recetë shumë praktike të gatimit në furrë të kofshave të pulës me feta finoku.

Kofshë Pule Me Finok Dhe Limon

Kjo mënyrë gatimi ruan shumë prej vlerave të mishit të pulës dhe finokut, ndryshe nga skuqja e thellë apo kaurdisja.

4-6 kofshë pule

2 finokë

4 thelbinj hudhre

1 limon

2 lugë gjelle vaj ulliri

2 lugë gjelle verë të bardhë

1 lugë çaji kripë të trashë

Piper të zi të bluar

Përgatitja: 

Pastrojeni finokun dhe secilin prijeni në katër copë.

Secilën prej copave më pas prijeni në feta të holla.

Në një enë vendosni kofshët e pulës bashkë me fetat e finokut.

Qëroni dhe shtypni hudhrën e më pas grijeni dhe shtojeni tek kofshët e pulës.

Grini hollë lëkurën e limonit dhe shtrydheni atë.

Lëngun dhe lëkurat e imëta të limonit hidhini tek mishi i pulës dhe më pas shtoni verën, kripën dhe piperin.

Pas këtij marinimi, të gjithë përbërësit hidhini në një tavë ku keni shtruar letër pjekjeje.

Mishi i pulës duhet të qëndrojë në mes të tavës dhe rreth tyre duhet të vendosni fetat e finokut.

Piqeni mishin në furrë për 30 minuta deri sa finoku të bëhet krokant dhe kofshët e pulës të marrin ngjyrë të kafenjtë.

Nxirreni tavën nga soba dhe mbështilleni me letër alumini.

Lëreni kështu për 5 deri në 10 minuta.

Për servirje, kofshët e pulës me finok duhet t’i shoqëroni me pilaf dhe sallatë jeshile./AgroWeb.org