Qoftet janë gjithnjë një ushqim shumë i preferuar.

Të buta dhe plot lëng, kanë një variacion gatimesh dhe shijesh.

Në traditën shqiptare janë të njohura si kërnackat e korçës apo qoftet e vogla e të rrumbullakta të zakonshme.

Në këtë recetë, AgroWeb.org ju tregon se si të përgatisni një lloj të veçantë qoftesh, ato me pulë.

Të lehta dhe me shumë shije, qoftet me pulë mund të gatuhen në furrë dhe janë një kënaqësi e vërtetë për t’u ngrënë.

Këtë gatim mund t’a përgatisni në shumë pak kohë dhe me shumë pak përbërës.

Ndiqni hap pas hapi më poshtë përgatitjen e kësaj recete të mrekullueshme.

Përbërësit

200 gr gjoks pule

100 gr gjizë

1 vezë

1 lugë gjelle vaj ulliri

1-2 feta bukë të thekura të grirë

Përgatitja

Merrni mishin e pulës dhe grijeni në mikser derisa të përfitoni një masë si mishi i grirë.

Në një enë vendosni mishin e grirë të pulës, vajin e ullirit, gjizën, vezën dhe pak kripë.

Me ndihmën e një piruni fillimisht filloni të përzieni të gjithë masën e më pas mund t’a punoni edhe me dorë.

Kur të shihni që mishi është lidhur me përbërësit e tjerë filloni me përgatitjen e formave.

AgroWeb.org ju këshillon të formoni toptha të vegjël të rrumbullakët, por ju mund të zgjidhni t’i gatuani në mënyrën që dëshironi.

Pasi të keni formuar të gjithë qoftet mund t’i lyeni ato me pak thërrime buke të thekur në mënyrë që të mos ngjisin.

Sigurohuni që këto thërrime të jenë të bluara mirë.

Ju mund t’i blini apo t’i bluani vetë në mikser.

Më pas vendosini qoftet njëra pas tjetrës në një tavë të shtruar me letër pjekje.

Futeni tavën në furrë dhe piqini qoftet në temperaturë 200 gradë për 20-25 minuta.

Më pas mund t’i shërbeni qoftet tuaja si shoqëruese në çdo vakt./AgroWeb.org