Të thjeshta dhe perfekte për ditët kur nuk keni kohë dhe doni të përgatisni diçka të shpejtë por të shëndetshme.

Duke qenë se patëllxhani tanimë fillon të jetë në sezon, ju mund ta ruani këtë recetë dhe ta përdorni përgjatë gjithë verës.

Kur t’i provoni do të filloni t’i kombinoni me të gjithë recetat tuaja të preferuara duke filluar nga salca me domate e makaronave e deri tek shoqërimi i mishit të pjekur.

Janë fantastike dhe shumë të lehta për t’u përgatitur, prandaj nuk duhet t’i humbisni.

Përbërësit

2 patëllxhanë të qëruar dhe të prerë në copa

2 lugë gjelle vaj ulliri

1 qepë mesatare

1 hudhër

100g djathë i bardhë i thërrmuar

1 lugë çaji me kripë

Gjysmë luge çaji me piper të zi

100g bukë e thekur e thërrmuar

Majdanoz

Përgatitja

Vendosni një tigan në zjarr dhe hidhni një lugë gjelle me vaj ulliri.

Merrni qepën dhe pasi ta keni qëruar priteni sa më hollë.

Shtojeni qepën tek tigani dhe marinojeni me kripë dhe piper dhe skuqeni lehtë për 5 minuta.

Më pas hidhni dhe hudhrën e shtypur dhe përzjejeni me lugë druri.

Kur t’i keni prerë patëllxhanët hidhini në tigan dhe skuqini për 12 minuta duke u kujdesur që t’i përzieni mirë.

Kalojeni masën në një tas të madh dhe shtypeni ose duke përdorur një pirun ose me blender.

Do të keni krijuar një pastë në formën e një pureje, dhe shtoni majdanozin e grirë dhe përsëri pak piper.

Shtoni djathin dhe bukën e thekur të thërrmuar dhe përzjejeni mirë derisa të formoni një masë të njëtrajtshme.

Brumi i qofteve duhet të jetë i plotë dhe të mos ngjitet në duar.

Futeni tasin në frigorifer dhe lëreni për 20 minuta.

Më pas duke njomur duart me ujë formoni qoftet me patëllxhan.

Tek tigani shtoni edhe pjesën tjetër të vajit të ullirit dhe filloni t’i skuqni nga të dyja anët.

Qoftet do të jenë gati kur të kenë marrë një ngjyrë të artë nga të dyja anët.

Shërbejini të ngrohta me salcë domatesh dhe specash ose me tarator apo salcë kosi./AgroWeb.org