Qumështi dhe gjalpi janë dy nga produktet e bulmetit më të rëndësishme në konsumin e përditshëm të çdo familjeje.

Këto produkte konsiderohet si ushqime të plotësuara me të gjitha vlerat ushqimore. Të dy kanë në përbërjen e tyre ujë, yndyrna, proteina, vitamina dhe minerale.

Duke qenë shumë të shëndetshëm, asnjëherë nuk mungojnë në frigoriferët e shtëpive tona.

Por dhe pse ne kujdesemi që t’i ruajmë në kushtet e duhura, AgroWeb.org ju këshillon të bëni kujdes pasi këto produkte prishen shumë shpejt gjatë stinës së verës.

Arsyeja qëndron pikërisht në vlerat ushqyese dhe në faktin se janë përbërje bazike.

Këto janë dhe kushtet ideale për formimin dhe rritjen e mikrobeve të ndryshme, të cilat përveçse prishin këto produkte shkaktojnë dhe sëmundje të rrezikshme.

Temperatura

Qumështi dhe gjalpi kalojnë disa faza të prodhimit derisa vendosen në raftet e marketeve.  Produktet ekspozohen për një kohë shumë të shkurtër në temperatura të ndryshme.

Kjo dukuri bën të mundur që të prodhohet acidi laktobalik, që dhe nëse qumështi apo gjalpi ruhen në frigorifer prishen duke u thartuar dhe prerë.

Jetëgjatësia 

Qumështi dhe gjalpi i fabrikës, mund të kenë një jetëgjatësi më të madhe se sa qumështi i fshatarëve apo gjalpi i përgatitur vet.

Por nuk do të thotë që këto produkte nuk prishen nëse qëndrojnë në frigorifer.

Jetëgjatësia e tyre mund të zgjasë;

për qumështin e papërpunuar (i fshatit) nga 3 deri 5 ditë nëse e mbani gjatë gjithë kohës në frigorifer,

qumështi i përpunuar (i fabrikës) 7-10 ditë nëse nuk është i hapur dhe 2 apo 3 ditë pas hapjes.

Por duhet të bëni kujdes, pasi jetëgjatësia e qumështit varet nga koha që e lini të ekspozuar në temperaturë ambjenti në momentin që e nxirrni nga frigoriferi.

Në rastet kur temperaturat janë të larta dhe e lini në temperaturë ambjenti për një kohë të gjatë mund të prishet edhe brenda një dite.

Ndërsa gjalpi reziston deri në tre javë, nëse nuk është i hapur dhe ruhet në frigorifer.

AgroWeb.org ju këshillon që të kini kujdes me datën e skadencës si dhe të jeni të vëmendshëm për shenjat e thartimit  tek qumështi, dhe të formimit të mykut tek gjalpi.

Ruajtja

Qumështi, i pasterizuar apo i fshatarëve, duhet që të kalohet në një enë qelqi.

Ndërsa gjalpi është e mira që të hiqet nga paketimi plastik dhe të vendoset në enë qelqi hermetike.

Zakonisht këto produkte ne i vendosim në frigorifer. Pa menduar që dhe pozicioni i tyre është i rëndësishëm.

Dera e frigoriferit është vendi në të cilin ushqimet prishen më lehtë.

Duke qenë se ajo bie në kontakt të drejtpërdrejt me ajrin dhe temperaturat e ambientit, nuk arrin të ruajë një temperaturë të balancuar.

Prandaj vendosja e shisheve të qumështit në këtë vend, ndikon në prishjen më të shpejt të tij.

Përsa i përket gjalpit, nëse është për gatim, AgroWeb.org ju këshillon që ta vendosni dhe në ngrirje, por që ta keni ndarë në copëza më parë.

Kështu do të nxirrni nga frigoriferi masën që ju duhet. /AgroWeb.org