Reçeli Special me Feta Portokalli – Receta Mrekulluese në Kushtet e Shtëpisë

3.2k 0

Kjo është koha e duhur e vitit kur portokallet e freskëta fillojnë dhe mbushin tregjet kudo.

Është e sigurt se agrumet e kësaj stine nuk janë produkte të ruajtura në frigorifer dhe as të trajtuara për të rezistuar gjatë.

Është momenti më i mirë për të shfrytëzuar freskinë dhe vlerat e portokalleve.

Pra, është koha më e mirë për të bërë reçel të shijshëm me feta portokalli të ëmbël.

Receta që ju sjell AgroWeb.org realizohet shumë thjeshtë në kushtet e shtëpisë tuaj. Ndërkohë ju mundëson të ëmbëlsoni mrekullisht të afërmit dhe miqtë tuaj.

Përbërësit e recetës së reçelit me feta portokalli

  • 5-6 Portokalle të madhësisë mesatare
  • Rreth 1 kg sheqer
  • Lëng i shtrydhur nga 2 kokrra portokalli
  • Pak vanilje
  • 2 lugë gjelle me lëng limoni të shtrydhur

Përgatitja e Portokalleve

Me ndihmën e një rendeje qërojmë vetëm sipërfaqen e cipës së portokalleve kokërr pa nxjerrë krejtësisht në pah tulin e bardhë poshtë lëkurës.

Vendosini portokallet e qëruara në një tenxhere plot me ujë të nxehtë dhe lërini të vlojnë dy herë nga 15 minuta, duke ndërruar ujin çdo herë.

Kjo lehtëson njëtrajtësimin e tulit në brendi të portokallit dhe eliminimin e hidhësisë së mundshme.

Hiqini nga zjarri, kullojini dhe lërini të ftohen. Më pas, AgroWeb.org këshillon të prisni portokallet në feta me trashësinë e një gishti.

Në një tenxhere të pastër me fund të gjerë, vendosni fetat e portokalleve, hedhim lëngun e përgatitur të 2 portokalleve të shtrydhura dhe i mbulojmë me një shtresë të hollë me sheqer.

Lërini ashtu jashtë frigoriferit gjatë gjithë natës duke e mbuluar enën me një pecetë të pastër.

Përgatitja e Reçelit

Në një tenxhere hedhim sheqerin dhe ujin. Masat e ujit do jetë 500 ml ujë për një kilogram sheqer.

I lëmë të zjejnë dhe kujdesemi të heqim shkumën e cila nis të krijohet gjatë procesit të zjerjes.

Pasi kemi hequr shkumën dhe shurupi trashet në formën e sherbetit hedhim brenda enës fetat me portokalle.

Procesi i fundit 

I lëmë të zhytura në shërbet derisa të nisin zjerjen. Gjatë procesit kujdesemi që të heqim shkumën.

Nga momenti që nis zjerja e lëmë përreth 20-30 minuta në zjarr.

Më pas e heqim nga zjarri dhe e lëmë në tenxhere. Pasi të ftohet masa, gjykoni nëse duhet ta vini përsëri në vlim për disa minuta sipas dëshirës për ta pasur shërbetin më të hollë ose më të trashë.

Më pas, hedhim lëngun e limonit dhe e trazojmë.

E heqim nga zjarri dhe pasi ftohet shtojmë vaniljen. Mund të përdorni edhe pak kanellë, karafila të thatë, ose disa gjethe barbaroze të freskët.

Pasi ta trazoni përfundimisht kalojeni reçelin në kavanoza të sterilizuar dhe të ngrohtë.

Kthejini kavanozat e mbyllur fort me kokë poshtë derisa të ftohen plotësisht. Pas hapjes së parë, është mirë që kavanozin ta mbani në frigorifer.

Ëmbëlsohuni me një a dy feta të tilla reçeli në ditë që të mos e mbaroni sasinë sa hap e mbyll sytë./AgroWeb.org