Një recetë e pasur në vlera ushqyese, e cila përmban të gjithë përbërësit e duhur për shëndet të mirë dhe që ndihmon njëkohësisht në rënie në peshë.

Falë përmbajtjes me vitamina, fibra dhe minerale nga përbërësit e saj, kjo supë me shije fantastike ndihmon në djegien e kalorive dhe ndihmon në mbajtjen e trupit në formë dhe organizmit të shëndetshëm gjithashtu.

Sekreti i kësaj supe në ndikimin e rënies në peshë qendron tek fakti se ajo përgatitet pa asnjë lloj yndyre.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë hapat që duhet të ndiqni për përgatitjen e kësaj supe lehtë dhe thjeshtë vetë në shtëpi.

Përgatitja e Supës që Nxit Rënien në Peshë

Përbërësit

 400 gr patate të prera të kubikë

250 gr fasule të kuqe ose të bardha

100 gr kungulleshka të prera në kubikë

100 gr karrota të prera në kubikë

50 gr qepë e grirë hollë

1 lugë çaji borzilok i grirë hollë

Pak spec djegës

Kripë

Piper i zi

Piper i kuq

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon që të vendosni fasulet në një tas me ujë për disa orë në mënyrë që të zbuten dhe më pas vendosini të zjejnë derisa të jenë gjysmë të zbutura.

Më pas fasulet kullojini dhe vendosini në një tenxhere tjetër.

Shtoni aty të gjithë përbërësit e tjerë.

Shtoni ujë të ftohtë rreth 700 ml dhe lërini të zjejnë bashkë përreth 30 minuta derisa patatet të jenë bërë tërësisht të zbutura bashkë me fasulet.

Nëse është e nevojshme mund të shtoni ujë tjetër.

Kur supa të ketë zierë, përmes një luge druri trazoni dhe shtypni pak përbërësit në të. Provojeni nëse ka kripë sa duhet dhe shtoni në fund piperin e zi dhe të kuq dhe shërbejeni të ngrohtë.

Ndikimi i kësaj supe tek rënia në peshë

Perimet me të cilat përgatitet kjo supë janë të pasura në fibra, kripëra minerale dhe antioksidantë.

Patatet janë të pasura me kalium, i cili ka veti të forta kundër celulitit.

Fasulet janë të pasura me fibra dhe vitamina të cilat luftojnë urinë e tepërt.

Piperi i kuq djegës dhe piperi i zi ndihmon në djegien e kalorive./AgroWeb.org