Nëse jeni duke kërkuar një recetë të re ëmbëlsire, të cilën edhe mund të mos e keni provuar, zupa me kadaif është pikërisht ajo që ju duhet.

Me disa përbërës dhe me pak mund, kjo ëmbëlsirë do të jetë surpriza perfekte për familjarët dhe miqtë tuaj.

Krokante dhe kremoze një kombinim që premton vetëm shije të mrekullueshme.

Përbërësit

250 g kadaif

5 lugë gjelle sheqer

4 lugë gjelle me gjalpë

Një gotë e gjysmë me arra të shtypura

Për kremin

1 litër qumësht

Gjysmë gote me sheqer pluhur

2 lugë gjelle me niseshte

2 lugë gjelle me miell

2 vezë

1 pako me vanilje

100 ml pana

Përgatitja

AgroWeb.org ju sugjeron që në fillim të vendosni në zjarr një tigan që të ngrohet.

Aty hidhni kadaifin të cilin e keni prerë në copa të vogla, gjalpin dhe sheqerin.

Përzjejeni me një lugë druri dhe lëreni të skuqet derisa kadaifi të ketë marrë një ngjyrë të artë.

Shtoni edhe arrat e thërrmuara dhe përzjejeni edhe për 2-3 minuta dhe hiqeni nga zjarri.

Ndërkohë në një tenxhere hidhni qumështin dhe shtoni miellin, sheqerin, niseshtenë, vaniljen dhe vezët.

Përzjejini mirë derisa të krijohet një masë e njëtrajtshme dhe vendoseni në zjarr.

Lëreni që të ziejë duke e përzierë herë pas here në mënyrë që të mos ngjitet.

Kur të shihni që kremi po zien largojeni atë nga zjarri dhe lëreni që të ftohet.

Sapo të jetë ftohur plotësisht, shtoni panën dhe përzjejeni derisa ajo të jetë tretur.

Merrni gotat në të cilat do të servirni zupat dhe aty shtoni 2-3 lugë nga kadaifi.

Hidhni kremin e përgatitur, dhe më pas përsëri disa lugë me kadaif.

Vazhdoni të kryeni këto hapa derisa në fund të jetë një shtresë me kadaif.

Futini tasat në frigorifer në mënyrë që të mpikset kremi sa më mirë dhe që të jenë të freskëta kur si shërbeni./AgroWeb.org